Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë një kërkesë pёr procedimin disiplinor dhe pezullimin nga detyra tё prokurorit Olsi Dado, lidhur me shkeljet që sipas kryebashkiakut, ai ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të tij.
Në kërkesën e tij, Veliaj shprehet Olsi Dado ka konflikt interesi në çështjen e hetimit ndaj tij, duke theksuar se prokurori “ka përdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve pёr tё kёrkuar leje ndёrtimi pёr pёrfitimet e tij”.
Veliaj thotë se pasi kёrkesa e Prokurorit Dado pёr miratim tё kateve shtesё iu refuzua prej tij, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, më pas Dado “iu vёrsul” me shprehje kёrcёnuese e shantazhuese.
“Kërkoj: Fillimin e procedurave për procedimin disiplinor ndaj prokurorit, zotit Ols Dado, lidhur me shkeljet e kryera në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të personit tim, Erion Veliaj. Marrjen e masës disiplinore ndaj tij dhe pezullimin nga detyra”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Veliajt.
Bëhet fjalë për një leje ndërtimi që Prokurori Ols Dado ka pёrfituar sipёrfaqe ndёrtimore miratuar me vendimin nr. U-14078/4, datё 09.09.2021 tё Kryetarit tё Bashkisё Tiranё, dhe lejen e ndёrtimit nr. U-14078/6, datё 21.09.2021.
Veliaj thotë se, asokohe, Prokurori Dado nuk ka qenë i kënaqur me metrat katrorë të miratuar në leje dhe i ka dërguar mesazhe me telefon kryetarit të Bashkisë për shtesë të metrave në lejen e ndërtimit.

Por para 3 ditësh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë denoncoi publikisht sulmet ndaj SPAK dhe prokurorit Olsi Dado si cenim të një procesi të drejtë hetimor dhe gjyqësor.
Në një reagim zyrtar “qeveria” e prokurorëve duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar si pasojë e këtyre sulmeve, thekson se qëndron pranë prokurorëve.
KLP shtoi se qëndrimet e palëve, si ankesa dhe akuza në proces të trajtohen ligjërisht dhe në mënyrë institucionale.
Erion Veliaj mohoi akuzat e SPAK se është korruptuar për një leje ndërtimi të dhënë në fshat për Meriman Palushin, ky i fundit nën hetim në të njëjtën dosje.
Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash dhe ndodhet prej më shumë se dy javësh në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.