Drejtësia

Veliaj kërkon lirinë, seanca në Gjykatën Kushtetuese më 20 maj

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese caktoi datën 20 maj 2026 për seancën e parë të shqyrtimit të ankimit të kryevashkiakut Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për disa vepra penale, mes tyre për korrupsion e pastrim parash.

Kryebashkiaku i Tiranës ka ankimuar kundër heqjes së masës së sigurisë “arrest në burg”, ndërsa seanca në Kushtetuese për Veliajn do të jetë mbi bazë dokumentesh. Ndërkohë, SPAK ka pranuar një tjetër kërkesë të Veliajt, duke i dërguar në qeli aktet hetimore të dosjes.

Veliajt i janë dërguar dje pasdite në 10 mars me furgon të gjitha materialet në burgun e Durrësit, me rreth 28 mijë faqe.

Më 9 mars, trupa legjitimoi avokaten kryesisht Valentina Teodoresku, që të pandehurit Erion Veliaj t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet hetimore.

Gjykata, siç rezulton nga proces-verbalet paraprake, tha se i pandehuri Veliaj duhet të njihej me aktet e dosjes hetimore. Trupa gjykuese vlerësoi se duhet t’i vërë në dispozicion të pandehurit të gjithë fashikujt e hetimit.

Në seancën e fundit, nuk ishte i pranishëm kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.

Në një seancë publike, Gjykata Kushtetuese më 3 nëntor, vendosi me shumicë votash në favor të Veliajt pas ankimimit të tij, duke e kthyer në detyrë, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

Kryebashkiaku u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë