Nga Gazeta ‘Si’- Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë shqyrtimin e padisë, në të cilën insistojnë se masa e arrestit në burg ndaj funksionarit është antikushtetuese.
Avokatët i sugjerojnë Gjykatës Kushtetuese të caktojë një datë sa më të shpejtë në kalendar, duke e lidhur këtë kërkesë me një sërë argumentesh, mes tyre edhe dëmet që vijnë nga mungesa e kryebashkiakut në detyrë.
“Vendimet gjyqësore e mbajnë kryetarin e bashkisë ende në paraburgim. Funksioni i kryebashkiakut nuk mund të ushtrohet nga paraburgimi, humbja e ditëve të mandatit është e pariparueshme, dëmtohet besimi i publikut dhe parimi i stabilitetit të institucioneve vendore”, thuhet në kërkesë.
Kjo padi për përshpejtim vjen dy javë pasi Veliaj, i arrestuar që nga muaji shkurt, kërkoi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta që aprovuan mbajtjen e tij në paraburgim.
Aktualisht, dosja penale që implikon 30 të pandehur, mes tyre edhe organizata jofitimprurëse, ka ngecur në seancë paraprake. SPAK ka artikuluar akuza për korrupsion dhe pastrim parash, të qarkulluara sipas Prokurorisë së Posaçme pas abuzimit me fondet dhe tenderat.
Një ditë më parë, kryebashkiaku, i pranishëm në proces, përsëriti lutjen që t’i aksesonin fashikujt e hetimit dhe për këtë akuzoi drejtësinë për standarde të dyfishta, pasi ish-presidentit Meta dhe të pandehurve të tjerë u janë vënë në dispozicion materialet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




