Futboll

Vedat Muriqi ka rilindur në Spanjë, mos gaboi Lacio me ‘Piratin’?

Gazeta Si – I ngadaltë, mekanik, i mbaruar, “mendërisht i vdekur” – thuhej për të në Itali, kur ishte pjesë e Lacios. Në La Liga Vedat Muriqi është një tjetër lojtar. Gjiganti kosovar është i papërmbajtshëm në zonën e rreptësisë, kurse Sarri vazhdon të vuajë për një zëvendësues për Imobilen.

Muriqi, me golin e shënuar ndaj Atletiko Madrid, është ngjitur në kuotën e 8 golave në Spanjë, ku vërtet ka rilindur me fanellën e Majorkës. Ai është i treti në listën e shënuesve më të mirë të La Ligës, pas Levandovskit dhe Iglesias. Tregues që flasin qartë për aftësitë e futbollistit kosovar.

Dhe duke parë këtë formë të jashtëzakonshme të tij, ndoshta te Lacio mund të jenë bërë pishman, aq më tepër që nuk kanë gjetur ende një alternativë më të mirë. Ndoshta klubi italian nuk i dha besim deri në fund kosovarit për të treguar vlerat e tij.

Tare ngulmoi për ta blerë nga Turqia, duke shpenzuar jo pak, por me fanellën e Lacios Muriqi nuk mundi të bënte asgjë. Duket se Spanja i ka sjellë fat dhe sulmuesi po përjeton një moment mjaft pozitiv, duke rrëmbyer edhe vëmendjen e shtypit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë