Futboll

Vedat Muriqi bëhet çështje, Lotito kërcënon Bryzhin në FIFA

Gazeta Si – Situatë e tensionuar te Lacio. Nuk mjaftoi shkëndija mes Açerbit dhe tifozëve, tensioni është rritur edhe më shumë pas një situatë të çuditshme merkatoje. Në qendër të saj është sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi.

Lojtari duhej të transferohej te Bryzhi në Belgjikë. Dy klubet kishin rënë dakord për çdo detaj. Mungonte vetëm firma e Muriqit, por situata u përmbys. Pas vizitave mjekësore të sulmuesit në Belgjikë transferimi i tij u bllokua.

Muriqi, kur prezantohej te Lacio nga Tare. Gazeta Si, 10 korrik 2022

Një situatë, që e ka tërbuar presidentin e Lacios, Klaudio Lotito. Ai ka kërcënuar se do t’i drejtohet FIFA-s për këtë çështje, sipas asaj që bën me dije “Il Messaggero”.

Po çfarë ndodhi realisht? Në Belgjikë është folur për “teste fizike mediokre” të kosovarit. Bryzhi në këtë moment u step dhe kërkoi më shumë garanci nga Lacio. Vedat Muriqi ka mbetur kështu pezull.

Pakti mes klubeve ishte për 11.5 milionë euro për shitjen përfundimtare të sulmuesit. Në Itali në fakt askush nuk i beson zërat e testeve të dobëta të lojtarit në selinë e Bryzhit. Dikush aludon për një lojë të dyfishtë të belgëve.

Dhe kjo lëvizje e ka nxehur keq Lotiton. Presidenti i Lacios ka menduar edhe ndjekjen në rrugë ligjore të çështjes. Konkretisht, ai synon ta çojë Bryzhin në FIFA.

Vedat Muriqi ndërkohë mbetet jashtë projektit të Lacios për sezonin e ti. Igli Tare në këto kushte duhet të negociojë sërish me Gallatasarajin, Hull Sitin dhe Majorkën, klubet që kanë dashur sulmuesin kosovar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë