Bota

Vdes në një burg në Arktik Aleksei Navalni, opozitari dhe kritiku më i fortë i Putinit

Gazeta Si- Aleksei Navalni ka ndërruar jetë në burgun famëkeq në Arktik, në koloninë penale Kharp, 2000 kilometra larg Moskës, ku ndodhej prej disa mujsh.

Shërbimi Federal i Ndëshkimit Rus njoftoi lajmin, duke specifikuar se një hetim për shkaqet e vdekjes është duke u zhvilluar. Opozitari dhe kritiku më i fortë i presidentit rus, Vladimir Putin ishte 47 vjeç.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve “Tass”, Navalni pati probleme shëndetësore pas një daljeje në zonën e ajrimit në burg, por megjithëse u kryen “të gjitha masat e nevojshme reanimuese”, këto “nuk dhanë rezultate pozitive”.

Navalni u arrestua në vitin 2021, pasi u shërua nga një tentativë helmimi që ishte e lidhur me shërbimin e sigurisë FSB të Moskës.

Ai u kthye nga Gjermania në Rusi dhe u arrestua menjëherë në aeroport. I konsideruar si kritiku më i madh i presidentit, Vladimir Putin, Navalni po vuante një dënim me 19 vjet burg për vepra që konsiderohen gjerësisht të motivuara politikisht.

Vladimir Putin u informua për vdekjen e disidentit, siç konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili deklaroi se shkaqet e vdekjes “do të konstatohen nga mjekët”: “Shërbimi Federal Penitenciar po kontrollon dhe heton, nuk nevojitet asnjë indikacion special i Kremlinit. për këtë çështje”.

Kira Yarmish, avokatja e Navalnit, po udhëton për në Kharp: “Sapo të kemi më shumë informacion për vdekjen e tij, do ta zbulojmë atë”.

Të mërkurën, kundërshtari i Putinit iu nënshtrua transferimit të 27-të në izolim që nga fillimi i ndalimit të tij, një rekord edhe për sistemin shtypës të burgut rus.

Në datën 11 sapo kishte përfunduar një periudhë tjetër izolimi dhjetëditore. Në total, Navalni ka kaluar 308 ditë në izolim që nga fillimi i ndalimit të tij në janar 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë