Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha përmes një deklarate për mediat se Enver Sheshi, (një nga të arrestuarit për aferën e inceneratorëve, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë) nuk ka vdekur si pasojë e arrestit kardiak, por është vrarë.
“Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.
Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave.
Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste. Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së tha se Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk u lejua të hetojë për vdekjen e Enver Sheshit
“Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer me garanci të madhe për mbrojtje.
Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo!
Por, në çdo rast, vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë.
Çfarë ndodhi me Enver Sheshin? Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse.
Vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën, bllokim, mashtrim.
Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi.
Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut, as ata që vuanin dënimin së bashku me të.
Komiteti i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit”, tha Berisha.
“E vërteta është se një OPGJ, (Oficer i Policisë Gjyqësore) për arsye që nuk do i marrim vesh ndonjëherë, ishte paraqitur në morg për të konstatuar, ose për të mbledhur të dhëna rreth viktimës.
OPGJ aq sa kishte mbledhur, ia kishte nisur Prokurorisë së Tiranës, e cila mohonte kategorikisht të kishte marrë një gjë të tillë, e cila me cinizëm ekstrem, si një shpellë mafie, përgjigjej se nuk ka një çështje penale.
Pra, vdes një njeri në kushte thellësisht të dyshimta, dhe prokuroria nuk gjen motiv të nisë hetime. Nuk gjen motiv se ajo merr urdhër të mbyllë gojën.
Jo kryesisht, por as me inicime, as me paditë e familjes.
Nuk ka një konfuzion nga autopsia. Institucionet e specializuara i kthyen mbrapsht inspektorët e Komitetit të Helsinkit me pretendimin se u duhen 30 ditë për të hapur gojën”, tha Berisha. Kryetari i PD kërkoi që OKB, KiE dhe Amnesty International të hetojnë vdekjen e Sheshit.
“Pra, këto qëndrime, të cilat zëvendësojnë transparencën e domosdoshme në këto rrethana të vdekjes së një njeriu në duart e shtetit, me bllokimin e kësaj transparence, flasin në favor të tezës, të atij mendimi, se kemi të bëjmë me një akt të mafies.
Në vdekjen e Enver Sheshit ka gisht mafia qeveritare e djegësave.
Sot u bëj thirrje Komitetit Antitorture të Këshillit të Europës, Komisionit të Drejtave të Njeriut të OKB, por edhe Amnesty International, të bëjnë gjithçka për të zbardhur vdekjen e këtij qytetari, e cila është vdekja e radhës në vdekjet e shumta në institucionet e vuajtjes së dënimit, ku aplikohen torturat dhe kanë humbur jetën shumë e shumë të burgosur dhe të paraburgosur në duart e këtij shteti mafioz”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.