Shendet

Vdekje e 17-vjeçares në Durrës / Alimehmeti: Meningjiti në Shqipëri ndodh rrallë por vdekshmëria është e lartë

Nga Gazeta Si - Meningjiti mund të shkaktohet nga shumë arsye të ndryshme, përfshirë meningokokun, që është 1 nga arsyet.

Lidhur me rastin e ditës së shtunë, ku një 17-vjeçare humbi jetën pasi dyshohet se ishte prekur nga meningjiti, mjeku Ilir Alimehmeti thotë për Gazetasi.al se përderisa kërkohet vaksinimi i mjekëve, dyshimi është për meningjit bakterial.

“Meningjitin bakterial ka disa lloje  të ndryshme që mund ta shkaktojnë. Meningjiti është inflamacion i cipave të trurit dhe palcës së kockave që mund të shkaktohet nga baktere, viruse, nga sëmundje të tjera inflamatore, autoimmune e me radhë”, shpjegon Alimehmeti, duke shtuar se kjo është një situatë që ne e kemi parë më herët pasi ka pasur herë pas here raste të tjera.

Mjeku Ilir Alimehmeti

“Kanë tendencën të jenë raste të izoluara sepse këto baktere që ndikojnë shumica e njerëzve i kanë në grykë dhe në fyt, pra ne jemi bartës normal por jo tek çdo njeri prodhon sëmundje. Adoleshentët kanë pak më shumë shanse se sa të tjerët që të sëmuren por janë shumë pak raste, 1 individ apo ndoshta pak më shumë”, thotë Alimehmeti.

Ai tregon se këto raste izolohen bashkë me kontaktet e ngushta që kanë pasur një farë mundësie të infektohen por “nga ekspozimi tek zhvillimi i sëmundjes është një diskutim shumë i madh”.

Transmetueshmëria varet nga agjenti që e ka shkaktuar dhe për aq kohë sa nuk dihet agjenti, nuk dihet as sa i transmetueshëm ka qenë, tregon më tej mjeku, duke thënë se për rastin në fjalë, ka shumë paqartësi që duhet të sqarohen nga Ministria e Shëndetësisë apo ISHP. Ky lloj infeksioni merret edhe nga kolla, teshtima apo rrugë të tjera.

Alimehmeti thotë se duke qenë se si sëmundje është e shpejtë, ka kohë inkubimi të shpejtë dhe vetë zona jonë, gjeografia jonë nuk e lejon që të ketë shumë raste.

“Nuk krijohen baza për panik për popullatën pasi është i rrallë por kur ndodh është i rëndë, vdekshmëria është rreth 15 për qind e trajtuar dhe i patrajtuar patjetër është më i lartë”.

Simptomat janë të njëjtat tek çdo pacient dhe si infeksion “sillet” njësoj tek të gjithë, por pse sëmuret dikush janë kufij shkencor që nuk dihen ende.

Mjeku thotë se shenjat janë të qarta sepse janë shumë të forta dhe shfaqen shumë shpejt tek rastet që shkojnë keq, brenda disa ditësh ndërkohë që çdo njeri është i rrezikuar.

Simptomat janë temperatura, dhimbje e kokës, provokimi i të vjellave, ajo që është me rëndësishme, më problematike është humbja e koshiencës që ndodh brenda 10 deri në 24 orëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë