Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vdekja e 28-vjeçarit Ajdin Mustafi, pasi ra nga kati i pestë nga Hotel Rogner në Tiranë, mbrëmjen e së premtes.
Mësohet se i riu ka qenë duke bërë foto në ballkon, por kangjellat kanë qenë të amortizuara e për pasojë ka gjetur vdekjen.

Nga sa është raportuar, pista e një vrasjeje të mundshme është hedhur poshtë, kjo sepse në dhomë nuk kanë hyrë persona të tjerë përveç 28-vjeçarit. Ajdin Mustafi la pas 2 fëmijë të mitur.
Ajdin Mustafi 28-vjeç ishte shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe kishte dy ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga Zvicra. Ai kishte edhe shtetësi shqiptare dhe zvicerane dhe punonte në një kompani transporti kosovare.
Qytetarët e tjerë që kanë qenë duke pushuar në këtë hotel kanë parë skena tmerri, të ngjashme me ato të filmave, pasi trupi i të riut u gjet në dysheme, në pjesën e anësore të oborrit, me pamje nga Bulevardi.
Pranë trupit të tij u gjet dhe zgara mbrojtëse e ballkonit. Ajo që të bën të ngresh pikëpyetje se si në një hotel që klasifikohet ndër elitaret në kryeqytet, si ka mundësi që të ketë mbrojtëse metalike të pafiksuar mirë.
Lidhur me këtë ngjarje kanë nisur hetimet ndaj administratorit të hotel ‘Rogner’ dhe përgjegjësit për mosrespektimin e rregullave të sigurimit teknik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




