Nga Gazeta Si- Vdekja e Margarita Xhepës ka lënë në trishtim bashkëpunëtorët e saj, ato që kanë qenë pranë saj në skenë por edhe jashtë saj.
Në një prononcim për Gazetasi.al, Luiza Xhuvani thotë se ajo do të jetë model gjithmonë për të gjitha artistet.
“Kam patur fatin të jem pranë saj edhe profesionalisht! Për mua është simbol i mirësisë njerëzore”, thotë Xhuvani, duke shtuar se Xhepa përjetoi në skenë dashurinë në të gjitha dimensionet si nënë, grua, mikeshë.
“Do të jetë model për të gjitha artistet. Jam me fat që bashkëjetova me të”, thotë Xhuvani.
Vasjan Lami është një tjetër artist që ka reaguar me trishtim për ndarjen nga jeta të ikonës.
Vasjan Lami thotë për Gazetasi.al se Margarita Xhepa ka qenë dhe do të mbetet një Margaritar i Artit Shqiptar.
“Ajo u largua fizikisht, por do të jetë përjetësisht e gjallë me krijimtarinë e saj të mrekullueshme. Për ne që kemi patur fatin të luajmë e jetojmë me të, do të na mungojë fjala e saj e ëmbël dhe paqja që ajo transmetonte pa fund”, thotë Lami.
Homazhet do të mbahen nesër më datë 4 prill në orën 10:00-13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.