Futboll

Vdekja e Duamenës, FSHF pezullon ndeshjet e të gjitha kampionateve

Gazeta si – Pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit të Egnatias, Rafael Duamena, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të pezullojë të gjithë ndeshjet e kampionateve të parashikuara për t’u zhvilluar këtë fundjavë.

Për momentin nuk ka një datë se kur do të rikuperohet kjo javë. Kampionati pas kësaj fundjave ndërpritet edhe për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe të paktën ndeshjet e Superiores do të rifillojnë pas datës 20 nëntor. Ndeshja Egnatia-Partizani u ndërpre në pjesën e parë, kur rezultati ishte 1-1.

"Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë", - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë