Shendet

Vdekja e 38-vjeçares italiane/ Ekspertët: Miokardi s’ka lidhje direkt me Covid-19, infeksioni bakterial po vret moshat e reja

Nga Gazeta Si – Ekspertët e shëndetit publik nuk e lidhin direkt vdekjen e 38-vjeçares italiane në Shqipëri me Covid-19. 38-vjeçarja Italiane ka ndërruar jetë nga Mioperikarditi. Alessia Vidotto ishte e martuar me burrë shqiptar dhe ishte nënë e një fëmije të vogël. Të tre bashkë ndodheshin në Shqipëri për pushime.

E ëma e Alessias tregoi për mediat italiane se e bija ishte paraqitur në urgjencën mjekësore në Tiranë duke raportuar vetëm simptoma gripi dhe u shtrua me urgjencë. Kur u zbulua miokardi, nuk mund të bëhej asgjë më shumë për gruan e re.

“Alesia ishte mirë! Covidi ‘i infektoi’ zemrën”, tha nëna e Alesias, rezidente në Mussoi, në Belluno, duke treguar atë që i kanë thënë mjekët që i qëndruan pranë në orët e fundit të saj.

Ndërkaq, ekspertët shprehen se infeksioni i miokardit po vret gjithnjë e më shumë moshat mbi 20 vjeç dhe shkak nuk është prekja nga virusi.

Për mjekun epidemiolog Ilir Alimehmeti, vdekjet nga Covid-19 janë gjithnjë e më të pakta, por rreziku i gravidancës së virusit lidhet me përgjigjen imunitare të pacientit.

“Shqipëria nuk ka statistika zyrtare për vdekjet nga Covid-19. Ajo çka vihet re janë rritja e vdekshmërisë nga infarktet e trurit dhe zemrës, ndërsa vdekjet nga Covid-19 lidhen me sëmundjet bashkëshoqëruese të pacientit, njëlloj si me virusin e gripit”, thotë për Gazetasi.al doktor Ilir Alimehmeti.

Miokarditi dhe risku nga heqja e bajameve

Eksperti i shëndetit publik Dritan Ulqinaku thotë për Gazetasi.al se vdekja e 38-vjeçares italiane nga miokardi mund të ketë si shkak ndonjë problematikë me infeksionet e bajameve.

Ndonëse ende nuk dihet saktësisht se nga çfarë ajo vuante, mjeku Ulqinaku thotë se shumica e infeksioneve të miokardit shkaktohen nga trajtimi jo i mirë i infeksionit të bajameve.

“Sot është bërë modë që të heqin bajamet pas disa episodeve kur sëmuren rëndë me temperaturë të lartë. Por bajamet janë barrierë e fortë për mbrojtjen nga infeksionet bakteriale që shkojnë direkt në gjak dhe që dëmtojnë muskujt e zemrës duke shkaktuar infeksionin e miokardit”, thotë doktor Dritan Ulqinaku.

Eksperti i shëndetit publik këshillon se si në rastin e gripit dhe Covid-19, kujdesi duhet të jetë i lartë dhe të mbahet kontakt i rregullt me mjekun e familjes.

Muskuli i zemrës quhet miokard. Infeksione të ndryshme mund të shkaktojnë inflamacion në këtë nivel, duke e dobësuar atë dhe ulur rendimentin e tij. Inflamacioni mund të prekë vetëm miokardin, ose miokardin dhe perikardin (emërtohet mioperikardit).

Si shkaqe kryesore të miokarditit janë:

Viruset, që shkaktojnë 50% të miokarditeve, edhe pse shpesh virusi shkaktar mbetet i paidentifikuar.

Bakteriet

Alergjitë nga medikamentet

Sëmundjet reumatizmale sistemike (të përhapura në të gjithë trupin)

Rrezatimi i zonës së zemrës

Miokarditi mund të favorizohet nga sëmundjet ose faktorët e mëposhtëm:

Skarlatina

Borelioza (pas pickimit nga këpushat)

Ndërlikimet e një perikarditi ose të një sëmundjeje të valvulave

Sëmundjet metabolike

Tuberkulozi ose sëmundjet e tjera infektive (sifilizi, difteria)

Konsumi i alkoolit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë