Ngjarje

Vdekja e 3-vjeçarit në kopshtin privat, familjarët duan drejtësi: Na mashtruan për kamerat

Familjarët e 3-vjeçarit që humbi jetën në një kopsht privat në Fier, kërkojnë drejtësi për vogëlushin dhe bëjnë apel që ngjarja të zbardhet sa më parë.

Duke mos besuar në versionin e vetëmbytjes së fëmijës, ata thonë se drejtori i kopshtit i ka gënjyer edhe për kamerat e sigurisë, pasi rezultoi që vendi ku pretendohet se është mbytur djali, nuk ka të tilla.

Të mbledhur para Prokurorisë së Fierit, daja i të miturit, Durim Kaja hedh dyshime se fëmija nuk mund të jetë mbytur e kapuçin e xhupit të varësja e rrobave në atë lartësi, ashtu sikurse kanë dhënë versionin zyrtar grupi hetimor.

“Jemi drejtuar para prokurorisë së Fierit për një hall që mos i ndodhtë askujt, asnjë prindi. Mos e paftë këtë hall që na ka rënë. Kemi çuar fëmijën në çerdhe si të gjithë fëmijët e tjerë dhe na vjen lajmi që na ishte mbytur. Dua që ju mediat të shkoni ta kontrolloni në një vend 60 pont lartësi, kur ne fëmijënt e kemi mbi 80 pont. Të tërë që jeni ju këtu nëse do e shikoni po ka mundësi që fëmija të jetë mbytur vetë, atje do jem i pari që do t’ju kërkoj falje”, - tha ai.

Ai thotë se familjarët dyshojnë për versionin se “fëmija është mbytur me një kapëse që sapo kapej alumini, të mbeste në dorë. Vajtëm e pamë dje vendin. Vajtëm si njerëz dhe u kënaqëm shumë se na thanë do të shikoni realitetin. Kur e pamë atë lartësi, jemi shokuar”, thotë ai, ndërsa shton se prokurorët nuk i kanë futur as në zyrë.

Nëna e 3-vjeçarit, Donalda Kodheli, mes lotësh thotë se fëmija nuk mund të mbytej në atë formë. Ajo shprehet se drejtori i kopshtit i ka gënjyer për kamerat.

“Drejtori i kopshti ka ardhur te shtëpia dhe më ka thënë që do ta nxjerr unë të vërtetën. Ka thënë që ka kamera kopshti në çdo cep. Kur vajtëm dje, na tha ka vetëm 6 kamera. Vendi ku thotë ai që është vrarë çuni, nuk ka mundësi në botë. Ato kapëse që thotë ai, të mbesin në dorë. Si të jetë e mundur të vritet një fëmijë 15 kg te ato kapëse. Kopshti sot është i hapur”, shprehet ajo.

Më tej nëna rrëfen sesi e ka gënjyer edukatorja që fillimisht i ka thënë se djali është në gjendje të mirë.

“Edukatorja më ka gënjyer. Më ka marrë mua të parën në telefon dhe më ka thënë është mbytur me litarët e bluzes dhe është në gjendje të mirë, është përmendur. Dhe në momentin që unë kam vajtur në spital, më ka thënë që është futur në sallë të operimit. Në momenti që unë i them pse është futur në sallë, doktori më thotë që fëmija ka ardhur pa jetë këtu”, shprehet ajo.

Ndërsa babai i fëmijës së ndjerë, deklaron se nuk kanë besim te prokurorët.  “Nuk kemi ardhur për luftë, këta nuk na pritën pa pikë turpi, nuk do vrisnim prokurorin ne, ata na vranë ne. Zoti prokuror mendo se është një fëmijë 3-vjeçar, i bëj thirrje dhe kryeministrit ta shohë këtë çështje, se me këta prokurorë nuk kemi besim. Duam të themi tek prokurori që nuk jemi dakord për hetimin e çështjes, por ai është në anën tjetër. Dua vetëm të zbardhet ngjarja”.

Një ditë pas vdekjes tragjike të vogëlushit 3 vjeç, është arrestuar edukatorja, e cila duhej ta kishte nën kujdes. Sipas policisë, shtetësja R.B., 27 vjeçe, është vënë në pranga, pasi duhet ta kishte nën mbikëqyrje të miturin.

Dyshimet janë se fëmija është mbytur në momentin kur është zgjatur për të marrë një veshje në varësen e rrobave, në të cilën ka ngecur kapuçi i xhupit. Sipas policisë, fëmija është rrëzuar në këtë moment duke u mbytur prej xhupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë