Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit, Brian Spahiu, pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë në kryeqytet dhe ka dërguar në gjyq 7 persona, tre prej të cilëve me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Sipas njoftimit, mjeku Roland Xhaxho dhe Marta Gina do të shkojnë në gjyq për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim.
Ndërkaq, Ina Xhaxho do të gjykohet për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”.
Për shpërdodim detyre, do të gjykohen: E.S., dhe E.A., ndërsa mjekët D.A., e V.H., për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Sipas prokurorisë, mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.
“Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G”, njoftoi prokuroria.
Nën akuzë kanë përfunduar edhe dy ekspertë të ekspertizës mjekoligjore, E.S., dhe E.A., që sipas prokurorisë kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore në kryerjen e autopsisë.
I mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare më 28 shtator 2023 në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent” të drejtuar nga Roland e Ina Xhaxho.
Pas ndërhyrjes, 3-vjeçari u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Disa ditë më vonë ai ndërroi jetë aty.
Për të dalë në këto përfundime prokurorisë u desh riekspertim mjekoligjor dhe ekspertim mjekoligjor shtesë nga ekspertë të huaj italianë.
Ata zbuluan se shkaku kryesor i vdekjes së pacientit ishte shoku septik i rëndë. Sipas tyre, anestezisti dhe stomatologët që trajtuan të miturin kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.
Këto shkelje kanë konsistuar në:
– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.
– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.
Por ajo që rezultoi po ashtu e provuar nga hetimet është se stomatologët I. Xh. dhe M.G kanë mashtruar prindërit e 3-vjeçarit. Ata i kanë marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve ndërkohë që nga autopsia rezulton se gjashtë prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Po ashtu, Xhaxho vazhdonte aktivitetin në mënyrë të paligjshme pas ngjarjes.
“Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut”, njoftoi prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



