Ngjarje

Vazhdon zjarri tek landfilli i Elbasanit, gjashtë vatra aktive në vend

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 24 vatra zjarri në 16 bashki të vendit, ndër të cilat Elbasan, Finiq, Delvinë, Selenicë, Vlorë, Tiranë, Vorë, Krujë, Has, Mat, Malësi e Madhe, Kurbin, Korçë, Poliçan dhe Gjirokastër.

Edhe pse zjarri te mbetjet në Elbasan u raportua se u neutralizua plotësisht, Ministria e Mbrojtjes bën me dije sot, se vijon puna intensive në këtë vatër alarmante prej ditësh tanimë.

“Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme“, thuhet në njoftimin zyrtar.

Për ngjarjen, prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e ndotjes dhe origjinën e zjarrit. Deri më tani, as për këtë rast dhe as për rastet e mëparshme, nuk ka një shkak zyrtar të konfirmuar për shpërthimin e flakëve.

Ndërkohë, aktive janë edhe pesë vatra të tjera:

Grazhdan–Malçan (Finiq): intensiteti i zjarrit ka rënë; po monitorohet nga dy automjete zjarrfikëse dhe stafi pyjor.

“Sotiran” (Orikum, Vlorë): ndërhyrje me një automjet zjarrfikës dhe tre efektivë të Shërbimit Vendor.

Bulticë (Vaqarr, Tiranë): terreni i vështirë po sfidon ndërhyrjen; forcat me mbështetje nga 40 efektivë të FA vijojnë punën.

Gjinaj–Domaj (Has): flakët në pyll pishe ndeshen me terrenin malor dhe erën e fortë.

Zgërbonjë (Poliçan): operacioni u rifillua me dy automjete zjarrfikëse dhe shtatë efektivë.

Në total janë djegur rreth 7 hektarë bimësi të ulët.

Në tre incidente të veçanta, vatrat kanë përfshirë dy banesa në Vorë dhe Tiranë dhe një ndërtesë në Korçë, duke shkaktuar dëme materiale. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale, 53 mjete të rënda dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje shtesë.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon reshje të dobëta lokale, por rreziku nga zjarret mbetet “i lartë” në shumicën e qarqeve (disa zona të Durrësit, Korçës e Vlorës në nivel “të moderuar”). Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe bëjnë thirrje për kujdes maksimal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë