Treg

Vazhdon rritja e sigurimeve të pronës nga zjarri. Sigurimet motorike përsëri ‘më të preferuarat’

Nga Gazeta ‘SI’ – Sigurimet vullnetare vazhdojnë të orientohen përsëri nga mbrojtja e pronës nga zjarri dhe dëmtime të tjera, që u rrit me 4% në raport vjetor për periudhën janar-shkurt 2022. Nga totali i sigurimeve vullnetare, ky zë ka 67%.

Sipas ekspertëve të këtij tregu, ky trend është shumë larg nga sensibilizimi dhe realisht “vullneti”, por nga banka. “Qytetarët apo bizneset, bëjnë sigurimin e pronës nga zjarri sepse është kusht primar kur ata marrin një kredi për banesë. Që banka tregtare ta pranojë kërkesën, duhet të sigurohet që banesa që t’i do blesh apo edhe ajo që lë garanci, të jenë të sigurta”, – thotë jozyrtarisht një ekspert financiar për Gazetasi.al.

Gjithsesi, rritja nuk është ende masive, pasi sigurimet e jo-jetës vazhdojnë të mbajnë më shumë se 92% të totalit të tregut dhe kjo për shkak të sigurimeve të detyrueshme motorike. Sigurimi i detyrueshëm motorik u rrit me 11.1% në raport vjetor, duke arritur vlerën e 9.5 mld lekëve. Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shtator 2022 kapën vlerën 3.2 mld lekë me rritje me rreth 8.5%.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-shtator 2022, arritën në rreth 1 mld lekë, duke shënuar një rritje prej 17.42% në krahasim me periudhën janar-shtator 2021.

Pothuajse 62% e tyre janë sigurime të detyrueshme dhe pjesa tjetër vullnetare.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shtator 2022, arritën rreth 1.2 mld lekë, ose 22.41% më shumë në raport vjetor.

Gjatë periudhës janar-shtator 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4.7 mld lekë, ose 8% më pak se në periudhën janar-shtator 2021

Vlera e sigurimeve për periudhën janar-shtator 2022 arriti në vlerën e 15.5 mld lekëve, me rritje 9.5% nga një vit më parë. Gjatë kësaj kohe, numri i kontratave të  të lidhura arriti në 981.393  me një rritje prej 15.49% , po me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë