Në Bruksel sot(15 maj) vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me takimin e kryenegociatorëve të të dyja shteteve.
Fokusi i takimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç, fillimisht do të kenë takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, e më pas do të ketë takim të përbashkët.
Takimet janë parashikuar të nisin në mëngjes, ndërkaq kohëzgjatja e tyre do të varet nga ecuria e diskutimeve.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 2 maj në Bruksel.
Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por edhe të bisedohet për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, ka shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.
Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiç, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.
“Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.
Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviç që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




