Treg

Vatikani hyn në bursë: Krijon indekset e aksioneve që ‘përputhen me vlerat katolike’

Banka e Vatikanit ka lançuar dy indekse aksionesh që përzgjedhin aksionet bazuar në parimet katolike, ku besimtarët mund të investojnë.

Indekset Morningstar IOR Eurozone Catholic Principles Index dhe Morningstar IOR US Catholic Principles Index “janë krijuar për të shërbyer si një pikë reference për investimet katolike në mbarë botën,” tha Instituti për Veprat e Fesë, siç njihet zyrtarisht banka, në një deklarat. Të dy përbëhen nga 50 kompani me kapital mesatar dhe të madh, përfshirë aksione të teknologjisë së madhe dhe sektorit financiar.

Lançimi i indekseve të para të IOR-së vjen në një periudhë të vështirë për produktet e investimeve që marrin parasysh faktorë mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes (ESG). Fondet me qëllime investimi ESG panë dalje prej 84 miliardë dollarësh vitin e kaluar, hera e parë që tregu global për këto produkte pësoi tërheqje neto, sipas një raporti të Morningstar Inc. javën e kaluar.

Indekset e IOR-së përballen me konkurrencë të fortë për investitorët katolikë. Një fond i tregtuar në bursë (ETF) i Global X me mbi 1 miliard dollarë asete ndjek S&P 500 Catholic Values Index, i cili u lançua në 2015 dhe përjashton aksionet që nuk janë në përputhje me udhëzimet e Konferencës Amerikane të Ipeshkvijve Katolikë. Kompanitë kryesore përfshijnë Nvidia Corp. dhe Apple Inc. ETF-ja u rrit 16% vitin e kaluar, përafërsisht në linjë me S&P 500.

Sipas burimeve, kompanitë kryesore në indeksin e ri për Amerikën janë Meta Platforms Inc. dhe Amazon.com Inc., ndërsa pesha më e madhe në treguesin e Europës i takon ASML Holding NV dhe Deutsche Telekom AG.

IOR, që ofron shërbime bankare tradicionale dhe mbikëqyr investimet për institucionet e lidhura me kishën, ka punuar prej vitesh për të larguar reputacionin e menaxhimit të dobët që erdhi nga një seri skandalesh financiare. Papa Leo XIV ka ndërmarrë hapa për të kufizuar rolin e IOR-së, përfshirë miratimin e rregullave në tetor të kaluar që shpërndajnë përgjegjësinë për investimin e fondeve të Vatikanit mes institucioneve të ndryshme./Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë