Nga Gazeta Si - Në dispancerinë e Tiranës, prej 10 ditësh ka shtim të pacientëve që diagnostikohen me pneumoni. Kjo rritje e rasteve përkon dhe me një shtim të qarkullimit të Covid-19, në pjesën e dytë të muajit tetor.
Pneumologia Silvana Sadria thotë në një prononcim për “Gazeta SI” se pjesa më e madhe e pacientëve është prekur nga pneumonia pasi ka kaluar 5-6 ditë me kollë, temperaturë të lartë dhe dhimbje të grykëve.
“Shumica e pacientëve rezultojnë me pneumoni nga grafitë e kryera. Teksa pyeten, konfirmojnë se kanë kaluar një gjendje të lehtë më parë, dhimbje grykësh, por më vonë u është shtuar kolla dhe temperatura. Jo të gjithë kanë kryer testin e covid, por një pjesë e grafive konfirmojnë prekjen edhe nga Covid-19”, thotë doktoreshë Silvana Sadria.
Varianti XBB përhapet në masë
Instituti i Shëndetit Publik konfirmon zyrtarisht për “Gazeta Si” se në vendin tonë po qarkullon në masë të gjerë varianti XXB i Covid-19. Kjo konfirmohet dhe nga shtimi i numrit të të prekurve, por shifrat zyrtare ende nuk janë bërë publike, për dy javët e fundit të muajit tetor.
Sipas ISHP, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me grip, por viroza të stinës të cilat nëse mbivendosen me variantin XBB të covid-19, shkaktojnë komplikacione në shëndet, deri dhe në saturim të pacientit, mungesë të oksigjenit në mushkëri.
Ekspertë nga Instituti i Shëndetit publik thonë se kujdes duhet treguar me simptomat pasi, në disa raste pas një gjendje të lehtë, pacienti i prekur nga virozat e stinës mund të jetë infektuar dhe me covid-19, cka rëndon situatën shëndetësore.
“Në rastet e mbivendosjes së covid me virozat, pacienti shfaq temperaturë të lartë dhe prekje të pulmonit, ku rrezik përbëjnë kategoritë vulnerabël sic janë personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, duhanpirësit, të moshuarit etj”, thonë mjekët.
Vaksinimi antigrip, në qendra shëndetësore paraqiten vetëm të moshuarit
Prej javës së kaluar, ministria e Shëndetësisë ka lajmëruar nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip, duke shpërndarë edhe 260 mijë doza vaksina. Por duket se vetëm të moshuarit kanë paraqitur interes për tu mbrojtur nga gripi stinor.
Mjekët e familjes konfirmojnë se përvec personave të moshuar që vaksinohen rregullisht, kategori të tjera nuk janë paraqitur për të marrë dozën e vaksinës antigrip.
E njëjta situatë duket dhe me dozën përforcuese anticovid ku ka një indiferencë në grupet e të rinjve dhe fëmijëve.
Mjekët thonë se doza e vaksinës është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të gripit, dhe ndihmon për një jetë më të shëndetshme gjatë stinës së dimrit.
Në grupin e personave të rrezikuar bëjnë pjesë individët e moshës së tretë mbi 60 vjeç, Fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kardiovaskulare, personat me sëmundje pulmonare apo astëm bronkiale, diabetikët, personat me sëmundje kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, personat obezë, personat me imunitet të dobët, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.