Varianti “Delta”, i identifikuar për herë të parë në Indi, po përhapet me shpejtësi në shumë pjesë të botës dhe duket se ka zëvendësuar variantin “Alpha”, të zbuluar në Angli. Ai është identifikuar në të paktën 92 vende dhe në Mbretërinë e Bashkuar, tani përbën pothuajse të gjitha rastet (99%).
A infektoheni pas 5-10 sekondash?
Karakteristika më e dukshme e “Delta”-s, është transmetueshmëria e saj e madhe: disa llogaritje të bëra kryesisht në të dhëna nga Mbretëria e Bashkuar, sugjerojnë që “Delta” është rreth 60% më e transmetueshme se varianti “Alpha”, i cili nga ana tjetër ishte 50% më i transmetueshëm sesa lloji i parë në Evropë vitin e kaluar.
Në Australi, njoftimi i kryeministrit të Uellsit Jugor, Gladys Berejiklian, i cili deklaroi se grumbullimi në një plazh afër Sidneit erdhi nga një takim i përcaktuar si "i frikshëm i shpejtë" midis dy personave të pavaksinuar dhe pa maskë, për 5-10 sekonda brenda një qendre tregtare.
Përfundimi u bë në bazë të disa pamjeve të CCTV dhe pas një hetimi mbi kontaktet e Zyrtarit Kryesor të Shëndetit të shtetit, Kerry Chant.
Shefja e Shëndetit Publik në Queensland, Dr.Jeannette Young, tha: “Në fillim të kësaj pandemie, unë thashë që 15 minuta kontakti të ngushtë, është koha për të pasur kujdes. Tani duket sikur 5 deri në 10 sekonda janë shqetësuese. Rreziku është shumë më i lartë tani, sesa ishte vetëm një vit më parë”.
"Aerosolet e frymëmarrjes grumbullohen në të njëjtën mënyrë, siç akumulon tymi i cigareve, - theksoi ajo. - Në një hapësirë të mbyllur, ku ventilimi nuk është adekuat, virusi është akoma në ajër. Kështu që nëse ecni në atë zonë dhe thithni atë ajër, mund të infektoheni”.
Kur është rreziku?
Në atë kohë, maskat nuk ishin të detyrueshme në Sidnei (madje as në ambiente të mbyllura) dhe gjithashtu duhet të konsiderohet se më pak se 5% e popullsisë australiane morën të dyja dozat e vaksinës.
Vlerësimi i 5-10 sekondave - megjithëse nga burime zyrtare, duke filluar me oficerin shëndetësor të Queensland - është një zbritje empirike që duhet të konfirmohet dhe nuk bazohet në ndonjë studim.
Sidoqoftë, është e vërtetë që virusi udhëton në ajër dhe mund të mbushë ambiente të mbyllura dhe të ajrosura dobët për orë të tëra pasi të lirohet nga një person i infektuar.
Nëse më parë, një kontakt i rrezikshëm konsiderohej të fliste me dikë brenda për më shumë se 15 minuta, në prani të një virusi shumë më ngjitës, ky parametër i minutave me siguri mund të ulet, por ne nuk jemi të sigurt për këtë.
Armët më të fuqishme, mbeten ventilimi dhe maskat - përveç kësaj, natyrisht edhe vaksinat, të cilat zvogëlojnë mundësinë e ngjitjes me rreth 50%.
“Delta”, çfarë dimë me të vërtetë?
Është e qartë se “Delta” ka një avantazh thelbësor të transmetimit. Pacienti zero, në shpërthimin e fundit të Sidneit, ishte një shofer limuzine, të cilin e kapi virusi nga një pasagjer. Ai nuk ishte i vaksinuar, nuk kishte një maskë në fytyrë, as nuk ishte testuar rregullisht.
Në Uellsin e Ri Jugor, kryeqyteti i të cilit është Sidnei, zyrtarët raportojnë afërsisht 100% transmetim të brendshëm krahasuar me 25% për llojet e mëparshme.
Më shumë se pesë milion njerëz në dhe përreth Sidneit të Madh, tani janë në një izolim 14-ditor. Nga studimet më të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, dimë që “Delta” ka një avantazh të përgjithshëm “në letër” prej 60-70% ndaj “Alpha”-s.
Në një vend si Mbretëria e Bashkuar, ku kaq shumë njerëz vaksinohen ose shërohen, ai avantazh bie në 30-40%, por në Australi pak më shumë se 5% e popullsisë së rritur, është vaksinuar plotësisht, me 29% që ka marrë vetëm dozën e parë.
Përveç vlerësimit të ngjitjes më të madhe, ne dimë për variantin “Delta” që shkakton simptoma pak më të ndryshme: dhimbje koke, dhimbje fyti, rrufë dhe ethe. Kolla është më e rrallë dhe humbja e nuhatjes nuk renditet as në dhjetë simptomat kryesore.
Kështu që rreziku është që të rinjtë - të cilët tashmë kanë më pak të ngjarë të zhvillojnë sëmundje të rënda - mund t'i ngatërrojnë këto simptoma si një ftohje të keqe dhe të mos testohen. Një tjetër detaj mjaft i sigurt i “Delta”-s, është se mund të jetë i lidhur me një rrezik më të madh të shtrimit në spital.
Sipas një studimi skocez të publikuar në revistën “The Lancet” më 14 qershor, varianti “Delta” shoqërohet me rreth dy herë më shumë shtrime në spital sesa varianti “Alpha”.
Çfarë nuk dimë
Ai është gjithashtu disi më rezistent ndaj vaksinave, veçanërisht pas një doze. Sistemi Kombëtar i Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar (PHE), zbuloi se tre javë pas një doze të parë, vaksinat siguruan 33% mbrojtje kundër sëmundjes simptomatike të shkaktuar nga varianti “Delta”, krahasuar me rreth 50% mbrojtje për variantin “Alpha”, por të njëjtat vaksina pas dy dozave, janë 96% efektive kundër shtrimeve në spital.
Ajo që ende nuk e dimë, është se cila është "përparësia" në transmetueshmëri, nëse do të nevojitet një përforcues specifik i vaksinës kundër këtij varianti dhe nëse është pak a shumë vdekjeprurës.
Kjo pikë e fundit është më e vështira për t’u matur, pasi nuk ka pasur ende vdekje të mjaftueshme për të krahasuar sistematikisht ato të shoqëruara me “Delta”-n dhe variante të tjera.
Ndërkohë, ata që morën dy doza të vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar, kanë qenë të moshuar dhe klinikisht më shumë të prekshëm dhe për këtë arsye mund të ndodhë që ata të përkeqësohen edhe pas vaksinimit të plotë.
Në fund, mos harroni se, mesatarisht, është një 3% njerëzish, tek të cilët vaksina nuk ka efekt. Në fakt, asnjë vaksinë nuk është 100% efektive.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.