Nga Gazeta Si- Ndërkohë që bota është e shqetësuar për variantet e reja të Covid-19, në vendin tonë javët e fundit është vërejtur një fluks më i shtuar në pavionin e infektivit me pacientë të prekur nga Covid-19, çka shton dhe frikën për një valë të re të Covid-19.
Por epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë për Gazetasi.al se nuk ka vend për panik.
“Covid-19 nuk është më një Emergjencë e Shëndetit Publik me Shqetësim Ndërkombëtar dhe si rrjedhojë shifrat zyrtare nuk mblidhen dhe raportohen më sistematikisht siç bëhej më parë. Për këtë arsye nuk ka raportime zyrtare. Megjithëse vërehet një fluks pak më i shtuar javët e fundit në pavionin e infektivit, vazhdojmë të mbetemi shumë më poshtë shifrave të vitit të kaluar”, thotë Alimehmeti duke shtuar se gjithashtu as në Shqipëri nuk kryhet survejanca gjenomike e virusit dhe as survejanca e ujërave të zeza nga institucionet shëndetësore, si rrjedhojë është e pamundur të parashikosh apo të vlerësosh mundësinë e shfaqjeve të varianteve apo të valëve të reja.

Në këtë situatë, vijon Alimehmeti, e vetmja mundësi është vrojtimi i varianteve dhe i ecurisë në vendet perëndimore që raportojnë në mënyrë konstante.
Sipas data bazës GISAID, aktualisht në Europë po bëhet dominant nënvarianti i omikronit i emërtuar EG.5.1 me 29% të rasteve dhe trend rritës, i ndjekur në trend zbritës nga nënvariantet XBB.1.16 me 24%, XBB.1.9 me 21%, XBB.1.5 me 16%, XBB.2.3 me 6% dhe nënvariante të tjera me prevalencë shumë më të ulët.
Gjatë javëve të kaluara, fillimisht në Danimarkë e më pas në shtete të tjera si SHBA, Britania e Madhe, Izraeli etj., u raportuan raste të një nënvarianti të ri (BA.2.86), i cili paraqiste një numër të madh mutacionesh, ecuria e të cilit mbetet ende për t’u vlerësuar.
Mjeku epidemiolog në Londër Leidon Shapo thotë për Gazetasi.al se për momentin studiuesit nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) po mbajnë ne shqyrtim variantin me te fundit the COVID-19, njohur si BA.2.86 (ose Pirola), i cili u zbulua për herë të parë në MB të premten, 18 gusht 2023.

Sipas vlerësimit të rrezikut nga UKHSA, thotë Shapo, BA.2.86 ka një numër të lartë mutacionesh dhe është shfaqur në disa vende në individë pa histori udhëtimesh.
Ndërsa BA.2.86 nuk klasifikohet aktualisht si një variant shqetësimi, këshillat nga UKHSA sugjerojnë se përshpejtimi i programit të vaksinave (booster) të vjeshtës do të ofrojë mbrojtje më të madhe, duke mbështetur ata që janë në rrezik më të madh nga sëmundje të rënda dhe duke reduktuar ndikimin e mundshëm në sistemin e kujdesit shendetsor Britanik (NHS).
“Vaksinimet janë vendosur tani të fillojnë më 11 shtator 2023 në Angli me banorët e shtëpive të kujdesit për të rriturit (care homes) dhe ata që janë më të rrezikuar për të marrë vaksinat së pari”, thotë Shapo, duke shtuar se programet e këtij viti të vaksinës së gripit dhe COVID-19 të vjeshtës do të fillojnë më herët se sa ishte planifikuar në Angli si një masë paraprake pas identifikimit të një varianti të ri COVID-19.
Ky vendim i UKHSA do të thotë se ata që janë më të rrezikuar nga sëmundja e dimrit, duke përfshirë njerëzit në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, të prekurit klinikisht, ata të moshës 65 vjeç e lart, personelin e kujdesit shëndetësor dhe social dhe kujdestarët, do të jenë në gjendje të përdorin një vaksinë COVID në shtator dhe afro një muaj më parë se sa ishte parashikuar.
Vaksina vjetore e gripit (flu jab) do t’u vihet gjithashtu në dispozicion këtyre grupeve në të njëjtën kohë kudo që të jetë e mundur, për t’u siguruar që ato të mbrohen përpara dimrit.
Shapo shpjegon se lloji i ri shkakton simptomat e zakonshme të Covid-it, duke përfshirë temperaturën e lartë, kollën, të ftohtin dhe humbjen e ndjenjës së shijimit ose nuhatjes.
“Shkencëtarët tani po u bëjnë thirrje njerëzve që të bëjnë një test nëse përjetojnë ndonjë nga këto simptoma, me Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, duke deklaruar se është jetike të jemi vigjilentë në luftën e vazhdueshme kundër virusit”.
OBSH permend se “Ne nuk do ta dinim nëse virusi po ndryshon, në rast se nuk testohemi sa duhet. Testimi është jetik për të parë se si po evoluon virusi”.
Sa serioz është varianti i ri?
Shapo thotë se mbetet e paqartë se sa ngjitës është varianti i ri BA.2.86 dhe nëse mund të shkaktojë infeksion më serioz në krahasim me shtamet e tjera.
Megjithatë, OBSH tani po e konsideron Pirolën një variant nën monitorim “për shkak të numrit të madh të mutacioneve që mbart”.
Aktualisht, sipas ECDC (Qendra Europiane përr Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) nuk ka asnjë variant shqetësues të virusit, nënvarianti XBB.1.5 klasifikohet si variant interesi, ndërsa nënvariantet BA.2.86 dhe XBB.1.16 klasifikohen si variante nën monitorim.
Megjithatë, thotë epidemiologu Alimehmeti, duhet të kujtojmë se pavarësisht monitorimit të nënvarianteve që dalin e do të vazhdojnë të dalin vazhdimisht, monitorimi më i rëndësishëm është numri i shtrimeve spitalore dhe numri i humbjeve të jetës, të cilat vazhdojnë të jenë shumë më të ulëta në krahasim me vitet e kaluara, shpjegon Alimehmeti.
“Duhet të kujtojmë se nuk jemi më në të njëjtën situatë. Shumica dërrmuese e popullsisë është infektuar të paktën një herë nga virusi SARS-CoV-2 dhe një pjesë tjetër është vaksinuar ndaj tij, si edhe kemi njohuri më të shumta dhe skema mjekimi më të përditësuara. Marrë së bashku, nuk ka vend për panik dhe as për masa por vetëm për kujdes të shtuar nëse për arsye të tjera duhet t’u drejtohemi spitaleve apo qendrave shëndetësore”, thotë Alimehmeti.
Epidemiologu sqaron se duke qenë se në këto institucione shëndetësore qarkullon më shumë SARS-CoV-2 si edhe viruse apo baktere të ndryshme, është e udhës që mbrojtja e personave më të dobët nga ana shëndetësore të jetë pak më e kujdesshme, prandaj edhe këshillohet maska vetëm brenda qendrave spitalore kur ka grumbullime të mëdha të sëmurësh.
“Ndërsa për popullatën e gjerë dhe ambientet e jetës së përditshme nuk ka asnjë evidencë apo shqetësim për të marrë masa parandaluese apo kontrolluese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



