Kosova

Varhelyi përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi. DASH: Zhbllokim i të ardhmes europiane

Nga Gazeta Si – Komisioneri Europian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, përshëndeti sot marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për dokumentet personale dhe shprehu shpresën se ajo shënon një epokë të re të përparimit real në dialog.

Diplomati njoftoi në Twitter se dialogu duhet të bazohet në marrëveshje të ndërsjella dhe zbatimin e tyre.

“Unë e mirëpres marrëveshjen për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sinqerisht shpresoj se kjo shënon një epokë të re të progresit të vërtetë në dialog, bazuar në marrëveshjet dhe zbatimin e ndërsjellë”, tha komisioneri Varhelyi.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit nëpërmjet dialogut, Kosova dhe Serbia do të zhbllokojnë të ardhmen e tyre europiane.

“Këto çështje po trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin Shtetet e Bashkuara e mbështesin. Ne besojmë se Dialogu është një kanal dhe një mekanizëm përmes të cilit Serbia dhe Kosova arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të zhbllokojë të ardhmen evropiane për të dyja vendet”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH.

DASH thekson gjithashtu ndihmën e dialogut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Pra, pres që deri në fund të muajit, bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe në punën e palodhur të Përfaqësuesit Special për Bashkimin Evropian, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore”, ka theksuar zëdhënësi.

Ndërsa, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti nënvizoi se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit. Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Ai falënderon Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin.

Të shtunën më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Lajmi është dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter. Tashmë qytetarët e dy vendeve mund të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë