Nga Gazeta ‘SI’ – Varfëria në Shqipëri është reduktuar, por pabarazia e të ardhurave mbetet e lartë, analizon Banka Botërore.
Në një studim ku përfshihet dhe vendi jonë, BB shpjegon se nga 2016-a në 2019-n ra nga 41.6% në 32.2%. Pas një rritjeje në 33.1% në vitin 2020 për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë COVID-19, varfëria ra me 22.5% në vitin 2023 falë rritjes së fortë të PBB-së për frymë, dhe pritet të bjerë më tej me 1.5% në vitin 2024.
“Ndërsa pabarazia ka rënë, ajo mbetet e lartë, me një indeks Gini të të ardhurave të ekuivalentuara që arrin në 36 pikë në vitin 2018, më i larti në Ballkanin Perëndimor pas Malit të Zi (36.9). Në vitin 2025, varfëria pritet të bjerë me 1.1 pikë përqindjeje për të arritur në 19.8%”, thuhet në dokument.

Indeksi i Hendekut të Mirëqenies, matur po nga Banka, që vlerëson diferencën midis të ardhurave të njerëzve dhe një standardi global të mirëqenies prej 25 dollarësh për person në ditë gjen se Shqipëria mbetet ende pas këtij standardi me një papunësi të lartë midis të rinjve.
“Në vitin 2018, Hendeku i Mirëqenies i Shqipërisë ishte 3.9, duke treguar se të ardhurat do të duhej të rriteshin mesatarisht pothuajse 4 herë për të përmbushur këtë standard mirëqenieje. Norma e punësimit ishte mesatarisht 68.6% në vitin 2024, me punësimin e meshkujve që u rrit me 2.0 pikë përqindjeje, ndërsa normat e punësimit të femrave ranë me 0.3 pikë përqindjeje. Papunësia ra në 9.4 %, por papunësia e të rinjve (15–29) mbeti e lartë në 18.9%. Paga mesatare u rrit me 9.8% në vitin 2024, me rritje në të gjitha sektorët ekonomikë” thuhet në raport.
Në përfundim, BB sugjeron “shfrytëzimin” e individëve të arsimuar në tregun e punës, që do t’i sjellë vendit rritje ekonomike dhe produktivitet.
“Shqipëria zotëron një potencial të pashfrytëzuar të kapitalit njerëzor që mund të nxisë rritjen dhe zhvillimin. Vendi përballet me sfida, të tilla si migrimi, inaktiviteti ekonomik dhe nën shfrytëzimi i grupeve ekzistuese të talenteve. Nxitja e pjesëmarrjes ekonomike të grave është thelbësore për trajektoren e Shqipërisë drejt arritjes së statusit të të ardhurave të larta. Mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të çojë në një rritje të konsiderueshme prej 12 për qind të PBB-së për frymë në afat të gjatë. Çlirimi i potencialit të grave përmes arsimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës është kështu thelbësor për nxjerrjen e vendit nga varfëria dhe drejt mirëqenies” thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.