Futboll

Video/ VAR-i vendos ‘paqen’ mes Partizanit dhe Vllaznisë në ‘Air Albania’

Gazeta Si – Partizani dhe Vllaznia kanë barazuar 1-1 në “Air Albania”, në një ndeshje ku protagonist kryesor ishte VAR-i, me ndërhyrjen në tre momente vendimtare të lojës. Teknologjia përsëriti penalltinë e Vllaznisë, dha kartonin e kuq për Hakajn dhe vlerësoi të rregullt golin e barazimit të Partizanit.

Liridon Latifi i dha avantazhin Vllaznisë nga pika e bardhë që në fillim të ndeshjes. Bitri e preku topin me dorë dhe Latifi fillimisht u ndal nga Hoxha, por penalltia u përsërit, sepse portieri i Partizanit lëvizi nga vija fatale para gjuajtjes. Herën e dytë sulmuesi i Vllaznisë u tregua i saktë.

Shkodranët dominuan lojën, por në fund të pjesës së parë mbetën me 10 vetë, pasi arbitri akordoi karton të kuq për Esin Hakajn. Në monitorin e VAR-it ai konstatoi një goditje me bërryl të shkodranit ndaj Albion Markut dhe Vllaznia luajti me 10 vetë në pjesën e dytë.

Cara ndalet nga traversa në kohën shtesë. Gazeta Si, 19 shkurt 2022

Partizani barazoi shifrat me Tedi Carën, i futur në fushë në fillim të pjesës së dytë. Njëri nga asistentët dha pozicion jashtë loje, por VAR-i tregoi se ai kishte gabuar dhe goli ishte i rregullt. Partizani pati edhe disa mundësi të tjera për golin e fitores, ndërsa në shtesë Cara u ndal nga traversa.

Në ndeshjen tjetër të javës së 21-të që u luajt sot, Egnatia mundi 2-0 Skënderbeun dhe e parakaloi atë në renditje, duke dalë për momentin nga zona e rrezikut. Brazilianët Pedro dhe Xhekson realizuan dy golat e fitores për skuadrën rrogozhinase.

Java e 21-të e Superiores vazhdon nesër me tri sfida të tjera, Kastrioti-Tirana, Laçi-Kukësi dhe Teuta-Dinamo. Renditja kryesohet nga Tirana me 46 pikë, e ndjekur nga Laçi me 40 pikë.

Abissnet Superiore, java e 21-të
Sot
Partizani-Vllaznia 1-1
Egnatia-Skënderbeu 2-0
Të dielën
Kastrioti-Tirana
Laçi-Kukësi
Teuta-Dinamo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë