Gazeta Si – Kanë përfunduar ndeshjet Kastrioti-Teuta, Kukësi-Bylis dhe Erzeni-Egnatia, ku nuk kanë munguar surprizat. Teuta nuk mundi të shkojë më shumë se barazimi ndaj Kastriotit të vendit të fundit, që për më tepër luajti me 10 vetë për një pjesë loje.
Durrsakët i shpëtuan turpit në fundin e ndeshjes, kur gjyqatri Kreshnik Cjapi akordoi një penallti në favor të Kastriotit, për prekje të topit me dorë nga një mbrojtës i Teutës. Më pas arbitri pa pamjet në VAR dhe anuloi vendimin e mëparshëm, duke bërë kështu që gjithçka të mbyllet 0-0.

Gabimin e Teutës nuk e ka bërë Kukësi, që ka mundur 2-0 Bylisin me gola të Rashitit dhe kapitenit Taipi. Një fitore e çmuar kjo për skuadrën e trajnerit Hallaçi, që tashmë sheh shumë afër Kupat e Europës.
Bylisi në anën tjetër mbetet në vend të parafundit, që do të thotë rënie nga kategoria. Trajneri Shensoi dha sinjale largimi pas humbjes në Kukës.
Erzeni mundi 2-1 Egnatian, duke u hequr rrogozhinasve mundësinë për t’iu bashkuar Partizanit dhe Tiranës në krye. Kahrimanovic me penallti dhe Nonato realizuan golat për shijakasit, kurse për Egnatian shënoi Douamena golin e vetëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




