Gazeta Si – U duk se edhe sfida mes Tiranës dhe Kukësit do të mbyllej në barazim, për ta lënë gjithçka si më parë në renditje, por fati i buzëqeshi skuadrës së Shehit. Falë një penalltie të akorduar nga VAR-i, Tirana kryeson e vetme tashmë, me 50 pikë.
Përfundoi 2-1 ndeshja me Kukësin, e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Ishte një 90-minutësh i mbushur me raste dhe emocione. Ardit Hila i dha avantazhin Tiranës në fundin e pjesës së parë, teksa devijoi drejt rrjetës një top të krosuar në zonë.
Kukësi barazoi me Atdhe Rashitin, edhe ky në zhvillimet e një goditje standarde. Më pas kuksianët patën raste të tjera për ta përmbysur rezultatin, madje goditën edhe traversën me Taipin. Dhe kur pritej që ndeshja të mbyllej në barazim, kryeqytetasit fituan një penallti me ndihmën e VAR-it.
Një nga mbrojtësit e Kukësit e preku topin me dorë në zonë dhe pasi u panë pamjet filmike në monitorin e VAR-it, u akordua penalltia, që i dha mundësinë Hasanit të shënonte golin e fitores dhe të vendit të parë. Festë për bardheblutë, ndërsa Kukësi mbetet në ‘ujëra të turbullta’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




