Gazeta Si – Për turneun e Nju Jorkut është dhënë miratimin për aplikimin e ‘Video Review Technology’, për rastet ku pika ngre diskutime, prekja e dyfishtë e topit në fushë, apo faulli me këmbë gjatë shërbimit. Vlen vetëm për 5 fushat kryesore.
VAR-i do të debtuojë në tenis në Us Open, që zhvillohet nga 28 gushti deri më 10 shtator. Sepse arbitrat nuk mjaftojnë për të gjitha momentet e dyshimta që mund të lindin gjatë një ndeshjeje. Kështu, teknologjia bën një hap përpara edhe në botën e raketës.
Në Slam-in amerikan, i fundit i sezonit, do të futet ‘Video Review Technology’, që konsiston në disa të reja të rëndësishme të testuara tashmë në ‘laboratorët’ e finaleve të Next Gen dhe Atp Cup.
Objektivi është për të reduktuar gabimet dhe rrjedhimisht edhe polemikat. Për shembull, për prekjen e dyfishtë të topit. Shumë herë, edhe këtë vit, ka ndodhur që një lojtar apo lojtare e godet topin pasi ka prekur tokën për herë të dytë.
Rasti më i njohur i 2023-shit është pika e fituar nga Holger Rune në Roland Garros, në setin e 3-të të 1/8-ve ndaj Fransisko Çerundolo. Ishte një moment kyç dhe tenisti danez u akuzua për anti-sportivitet. Në ‘Flushing Meadows’ do jetë teknologjia që do të shmangë çdo lloj akuze në raste të ngjashme.
Me anë të VAR-it do të rishihen pamjet për të kuptuar, nëse ka pasur prekje të topit në tokë para goditjes apo jo. Po ashtu, teknologjia do të ndihmojë arbitrin për të vlerësuar, nëse një lojtar ka prekur rrjetën me topin në lojë, nëse e ka goditur topin para se të kalojë rrjetën, nëse ka pasur invazion në fushën kundërshtare, apo nëse ka bërë faull me këmbë në momentin e shërbimit.
VAR-i do të përdoret në episode që kërkojnë një vlerësim më të qartë. Arbitrat e karriges do të kenë një ndihmë të madhe në Us Open, por jo në të gjitha fushat. Teknologjia do të përdoret vetëm në 5 fushat kryesore: Arthur Ashe, Louis Armstrong, Grandstand, fusha 5 dhe fusha 17.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.