Futboll

VAR-i anulon golin ndaj Partizanit në Kupë, shkodranët ndihen të vjedhur

Gazeta Si – Partizani dhe Vllaznia luajtën sot ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në “Elbasan Arena”, ku barazuan 0-0. Fundi i kësaj ndeshjeje u shoqërua me polemika të forta dhe tension, sepse Vllaznisë iu anulua një gol i shënuar nga Aralica në kohën shtesë.

Protestat e shkodraneve pas anulimit te golit. Gazeta Si, 31 mars 2022

Vendimi i arbitrit Ferataj dhe VAR-it për anulimin e këtij goli me argumentin e një faulli të sulmuesit kroat ndaj Belicës është kundërshtuar fort nga shkodranët, të cilët kishin mendim të kundërt. Madje, ata nuk deshën ta lejonin arbitrin as të shkonte në monitorin e VAR-it, pasi ishin të bindur se nuk kishte asgjë për të parë aty.

Ndeshja pati shumë raste për shënim në të dyja portat, pasi të dyja skuadrat e kërkuan fitoren, por pa ia arritur qëllimit. Partizani u ndal nga shtylla, e goditur nga sulmuesi Skuka, që tentoi edhe disa herë të tjera, por pa mundur ta gjente rrjetën. Kualifikimi për në finale do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Shkodër.

Gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Shqipërisë mes Teutës dhe Laçit u luajt të mërkurën dhe u fitua nga kurbinasit me rezultatin 1-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë