Nga Gazeta ‘Si’ – Vitet e fundit cikli i sezonit turistik në Shqipëri nuk mbaron me gushtin.
Kontratat paraprake të nënshkruara që në fillimet e pranverës, janë dëshmi për këtë.
Të njëjtën gjë pohon për Gazetasi.al edhe Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve i cili thotë se duke parë trendin e rezervimeve por sidomos të kontratave që lidhin të turizmit të organizuar, prurjet e shumta do vijojnë edhe në tetor.
“Nuk mund të themi që sezoni turistik mbaron në shtator. Madje edhe në pjesën më të madhe të tetorit, bazuar nga kontratat specifike të kompanive të ndryshme, priten shifra relativisht të larta turistësh”, vijon ai mandej.
Pas ndryshimit të hartës së nacionaliteteve të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë, tashmë tur-operatorët ndryshe nga vitet e shkuara, nuk presin më një cikël tipik të mbyllur turistësh brenda Ballkanit Perëndimor.
Njëjtë si gjatë stinës së verës, priten turistë nga Italia, Amerika Latine, Gjermania dhe polakët të cilët vijnë në Shqipëri me charter.
Ata janë edhe tregu që zgjasin nivelin e prurjeve duke qenë se nënshkruajnë kontrata më afatgjata dhe renditen të dytët pas italianëve që për nga hyrjet zënë gati pjesën më të rëndësishme të totalit, me 9%.
Aktualisht, sipas të dhënave të deritanishme nga INSTAT, në shtatë muajt e parë të vitit Shqipëria është vizituar nga 5.2 milionë vizitorë.
Ndërsa vetëm shtatorin e shkuar numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar ishte 761.544, 54.1 % krahasuar me shtatorin e 2021-shit.
Këtë vit, pritshmëritë janë edhe më të larta.
Vizitorët e shtatorit dhe tetorit, më të interesuar për turizmin historik-kulturor
“Turizmi në Shqipëri ndahet kryesisht në dy periudha, ai i plazhit dhe ai kulturor që përkon me periudhën e vjeshtës. Rritja e turizmit blu ka ndikuar edhe në rritjen e këtij lloji tjetër të turizmit sepse turistët ndajnë përshtypjet e tyre me njëri-tjetrin”, thotë Vathi i cili duke njohur mirë tipologjinë e turistëve shton se aktualisht italianët dhe francezët janë më të interesuar për “të vjetrën”.
Tur-operatorë të tjerë të cilët merren me guida turistike thonë se Tirana ofron shumë në drejtim të turizmit kultoror dhe jo pak herë ajo ka shërbyer si pikënisje që ata të vizitojnë edhe qytetet si Gjirokastra apo Berati duke qenë se kuriozohen shumë për të shkuarën e Shqipërisë.
“Muzeu Historik Kombëtar, i ndërtuar në dekadën e fundit të regjimit komunist, është një ndër atraksionet fillestare që ndiqet më pas nga Bunk’Art 2, atë që dikur shërbente si një bunkier antiatomik i qeverisë”, thotë Ergys Xhika, një guidë që merret me grupet turistike.
Jugu vijon të mbetet rajoni më i preferuar edhe në vjeshtë
Aktualisht, sipas të dhënave nga INSTAT numri i vizitorëve jo-rezident që janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë, me 2.5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Edhe për shtatorin, duket se plazhet e jugut do të jenë destinacionet kryesore të turistëve.
Në një komunikim me hotelin Wait N Sea i cili ndodhet në plazhin e Livadhit në Sarandë, Gazetasi.al konstatoi se të gjithë dhomat në Booking ishin të zëna jo vetëm gjatë gjithë shtatorit por edhe në pjesën më të madhe të muajit tetor.
Kjo, favorizuar edhe nga kushtet e ngrohta atmosferike deri tani.
Madje sipas të zotit të hotelit, ndryshe nga vitet e shkuara kur ndihej ndjeshëm rënia e numrit të turistëve pas pesëmbëdhjetë ditëshit të dytë të gushtit, këtë fillim shtatori kuotat janë thuajse të pandryshuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.