Politike

VanHorn: Dumani efektiv, por do zëvendësohet. Procesi të jetë i paanshëm!

Nga Gazeta ‘Si’ – E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, foli për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të SPAK edhe Drejtorit të BKH-së.

Në Konferencën Rajonale të OSBE-së mbi lidhjen mes trafikimit të drogës dhe krimeve të dhunshme, ajo vlerësoi bashkëpunimin me SPAK-un dhe rolin e rëndësishëm të Altin Dumanit në këtë betejë.

Gjatë fjalës së saj, VanHorn theksoi se procesi i zëvendësimit të Altin Dumanit, duhet të jetë i paanshëm transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.

“SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.

Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër. Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së”, tha ajo.

Ajo tha se Dumani ishte së fundmi në Uashington për të diskutuar luftimin e krimit.

“Megjithatë, partneriteti i ligjzbatimit midis Departamentit tonë të Drejtësisë dhe SPAK-ut nuk u ndërtua brenda natës. Së bashku, duhet të mbrojmë atë që kemi ndërtuar”, tha ajo.

Ajo shtoi se lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës është ndër prioritetet më të larta për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë