Me një diferencë prej 1477 votash, kandidati i mbështetur nga mazhoranca dhe ish-prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo është zgjedhur kryetari i ri i bashkisë në qytetin e vogël bregdetar.
Tavo, pas numërimit dhe të kutisë së fundit arriti të mbledhë 5022 vota, kundrejt 3545 që mori rivali i tij i koalicionit Bashkë Fitojmë, Petro Gjikuria.
Numërimi i votave u zhvillua pa ndërprerje për më shumë se 6 orë dhe nuk u raportuan incidente.
Në të njëjtën mënyrë u zhvillua dhe procesi i votimit në të gjithë bashkinë e Himarës, ku problematikë e vetme ishte moslejimi i votimit i personave me karta identiteti të skaduara.
Vangjel Tavo deklaroi për mediat, pak para numërimit të kutisë së fundit, se e priste këtë fitore në zgjedhjet për bashkinë e Himarës, ku edhe gjatë fushatës kishte thënë se nëse nuk merrte më shumë se 1000 vota diferencë sesa rivali i tij në garë Petro Gjikuria nuk do ta pranonte mandatin.
Teksa përsëriti ftesën për këtë të fundit që të jetë pjesë e bashkisë së re si nënkryetar, Tavo deklaroi se nga sot do të fillojë puna për t’iu shërbyer himariotëve pa dallim ngjyre partiake.
“Falënderoj të gjithë banorët që na dëgjuan dhe besimin e treguar që na votuan në mënyrë plebishitare. Do të vijojmë punën për ato që kemi premtuar. Të bashkuar, të majtë e të djathtë, Himara nuk ka ngjyra, të gjithë për Himarën e bashkuar, për bashkëjetesën, për të bashkuar realitetet në këtë bashki. E prisja fitoren. Kisha thënë që do të merrja mbi 1000 vota, ja ku vajtën 1500.
Do të vijojmë me punën për turizmin, por edhe me të gjithë problemet e tjera që kanë banorët. Oferta ime për Gjikurinë që të jetë nënkryetar i bashkisë është e sinqertë, nëse nuk vendos të ikë në Shtetet e Bashkuara. Do të vazhdojmë punën, festë nuk ka, mos prisni. PS ka shumë elemente që mund të fitonin në Himarë. Unë jam një socialist që në orët e para. Nuk na votuan vetëm socialistët”, tha Tavo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




