Ekspozite

Van Gogh/ 70 ditët e fundit të artistit në një ekspozitë

Ekspozita “Van Gogh në Auvers. Muajt e tij të fundit” është hapur në Amsterdam, në Muzeu Van Gogh dhe do të qëndrojë deri më 3 shtator

Në bashkëpunim me Musée d’Orsay në Paris, Muzeu Van Gogh në Amsterdam po organizon një ekspozitë mbi shtatëdhjetë ditët e fundit të jetës së Vincent van Gogh, të kaluara në fshatin francez të Auvers-sur-Oise (20 maj - 29 korrik, 1890). Një periudhë në të cilën ai ishte jashtëzakonisht produktiv dhe krijoi disa nga kryeveprat e tij më të mëdha, duke përfshirë të famshmen “Fushë gruri me korba” (1890) dhe portretin e Doktor Paul Gachet (1890).

Ekspozita, “Van Gogh në Auvers. Muajt e tij të fundit” është e dyta për këtë vit dhe është organizuar në kuadër të festimeve për pesëdhjetëvjetorin e Muzeut Van Gogh.

Produktivitet obsesiv

Falë huazimeve të shumta nga muzetë dhe koleksionet private, ekspozita ofron për herë të parë një pasqyrë të rëndësishme të punës së Van Gogh-ut në dy muajt e fundit të jetës së tij, fillimisht e karakterizuar nga entuziazmi i madh dhe produktiviteti (74 piktura në shtatëdhjetë ditë). Me një itinerar që alternon veprat dhe përshkrimet e jetës reale, ekspozita ndjek artistin që nga mbërritja e tij në Auvers, ku kishte mbërritur me shpresa dhe ambicie të reja, deri në javët e fundit të jetës, kur i sulmuar sërish nga ndjenjat e dështimit, vetmia dhe melankolia, megjithatë, vazhdon të krijojë vepra me fuqi të jashtëzakonshme.

Në periudhën e kaluar në Auvers, Vincent shpesh pikturonte shpejt dhe tregon një larmi stilesh: nga penelatat e mëdha te format e famshme të ndërlikuara të valëve dhe spiraleve, madje më shumë se më parë ai përqendrohet te kompozicioni dhe ngjyra dhe mbi të gjitha ai dëshiron të rigjenerojë veten në natyrë, duke kapur thelbin e jetës rurale të përshkruar me ngjyra të ndezura dhe një jeshile mbizotëruese, dhe të shprehë ndjenja të thella njerëzore në veprat e tij.

Auvers

Vincent mbërrin në fshatin e qetë Auvers-sur-Oise, rreth tridhjetë kilometra larg Parisit, më 20 maj 1890 me ftesë të vëllait të tij dhe pas një viti kaloi në një klinikë për sëmundje mendore në Saint-Rémy, në jug të Francës. Fshati piktoresk në brigjet e lumit Oise tërhoqi shumë artistë dhe ishte i lidhur mirë me kryeqytetin, ku jetonte vëllai i tij Theo, me një linjë hekurudhore.

Shpresa ishte që një mjedis i ri dhe mbi të gjitha afërsia e lidhjes familjare t’ia lehtësonte vuajtjen psikike. Zgjedhja e atij fshati nuk ishte e rastësishme, Dr. Paul Gachet (1828-1909), i specializuar në gjendjet melankolike (do të thoshim sot depresive), kishte shtëpinë e tij të fshatit atje, doktori ishte mik i shumë artistëve, duke përfshirë Renoir, Cézanne dhe Pissarro, veprat e të cilëve ai i mblodhi, dhe ai vetë pikturonte në kohën e tij të lirë.

Van Gogh merr me qira një dhomë të vogël në katin e fundit mbi Café de la Mairie dhe në pamje të parë kjo zgjedhje duket se është zgjidhja ideale dhe piktori fillon menjëherë të pikturojë pamjet e fshatit dhe më pas panorama të zonës përreth, mbi të gjitha fushat e gjera me drithëra, brenda një rrezeje të shkurtër prej vetëm 500 metrash nga dhoma e tij.

Por, shpejt filloi të fokusohej te portretet, pasi ishte i bindur se portreti “me mendimet brenda” do të bëhej e ardhmja e artit piktorik. Dhe ngjyra merr rëndësi parësore si në portretin e doktor Gachet, i cili shfaqet në pozën tipike melankolike, apo në atë të Adeline Ravoux, ku nënvizon ndrojtjen natyrale të dymbëdhjetëvjeçares.

Pikturat e tij të të rinjve, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të portretizuara në qiell të hapur, ishin një odë e vërtetë për jetën e fshatit. Në fakt, Van Gogh mendonte se të vegjlit mund të rriteshin shumë më mirë në fshat dhe shpesh shtynte vëllanë e tij Theo dhe kunatën e tij Jo të vinin në Auvers me Vincentin shumë të vogël. Një periudhë e produktivitetit dhe entuziazmit të madh që fatkeqësisht zgjati shumë pak: Vincent van Gogh vrau veten më 29 korrik 1890.

Ekspozita

Ekspozita shfaq 50 piktura dhe mbi 30 vizatime nga periudha e tij e shkurtër në Auvers, duke përfshirë tetë hua të rëndësishme nga Musée d’Orsay nga trashëgimia e pasardhësve të vetë Paul Gachet që nuk u larguan kurrë nga muzeu parisian, duke përfshirë “Kishën e Auvers-sur-Oise” (1890) një hua kaq e jashtëzakonshme saqë e bëri Emilie Gordenker, drejtoreshë e Muzeu Van Gogh, të përcaktojë ekspozitën, si “një herë në jetë”.

Përveç kësaj, portreti i lartpërmendur i Adeline Ravoux, vajza e pronarit të hotelit ku banonte Van Gogh, nga një koleksion privat dhe e dukshme për herë të parë që nga viti 1955. /Il Sole 24 ore/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë