Virgil van Dijk firmosi kontratën e re me Liverpool FC që do të zgjasë kohën e tij në klub përtej sezonit 2024-25. Kapiteni përdori penën për të siguruar se karriera te “Reds” do të vazhdojë edhe pas pothuajse 7 vjet e gjysmë të mbërritjes së tij në “Anfield”. Lajmi erdhi një javë pas rinovimit të kontratës së Mohamed Salah.

Van Dijk u transferua te Liverpool nga Southampton në Janarin e vitit 2018 duke u konsakruar si ndër mbrojtësit më të mirë në Botë. Aftësitë e tij rezultuan fondamentale dhe ndihmuan “Reds” të fitonin 7 tituj në këtë periudhë që No.4 zhvilloi 314 ndeshje dhe shënoi 27 gola. Kabineti i trofeve të mbrojtësit tulipan mund të mos jetë i bollshëm por është I rëndësishëm.

Ai konsiston në “Premier League”, “Champions League”, “FIFA Club World Cup”, “UEFA Super Cup”, “FA Cup” dhe dy “League Cups”. Në planin individual, Van Dijk u zgjodh Lojtari i Vitit 2019 në ishull si dhe 4 herë në Skuadrën e vitit në “Premier League”. 33 vjeçari mbërriti deri në vendin e 2 në klasifikimin e Topit të Artë në vitin 2019, i lënë pas vetëm nga Lionel Messi.

Van Dijk mori shiritin e kapitenit të Liverpool në verën e vitit 2023 dhe tani garanton të vazhdojë kontributin e tij për sukseset e ardhshme në historinë e “Reds”. Pas rinovimeve me Kapitenin van Dijk dhe Faraonin Salah, tashmë klubi nga Liverpuli do të tentojë të zgjidhë edhe situatën me mbrojtësin e djathtë, Trent Alexander-Arnold, në gjurmët e të cilit është edhe Real Madrid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.