Goditja e madhe e merkatos së verës tashmë është bërë: Kristiano Ronaldo kaloi nga Reali i Madridit te Juventusi. Më shumë se për shifrën e shpenzuar nga klubi torinez, kalimi i portugezit në Serinë A konsiderohet goditja e verës për vetë emrin dhe famën e lojtarit, që la madrilenët pas 9 vitesh. Sigurisht, në vazhdim do të ketë të tjera lëvizje interesante në merkato, ku klube si Çelsi, Reali, PSG dhe Barcelona janë gati të surprizojnë me afrimet që po përpiqen të bëjnë.
Por ajo që rëndom quhet “telenovela e merkatos”, këtë herë ka të bëjë me portierët. Lëvizjet e klubeve të mëdha për të siguruar portierët më të mirë në treg do të ketë efekt zinxhir, që do të prekë edhe portierin e Kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakoshën, aktualisht në radhët e Lacios. Interesimi për të është konkret nga Anglia dhe nga Gjermania. Reali i Madridit, Çelsi dhe Liverpuli kërkojnë me çdo kusht të kenë një mbrojtës ekstrem të një niveli më të lartë. Dhe në valsin e portierëve më të mirë të momentit janë emrat e belgut Tibo Kurtua, aktualisht te Çelsi, Alison Beker i Romës, Thomas Strakosha i Lacios dhe David De Gea i Mançester Junajtid. Tre prej tyre, me shumë gjasa, do të ndërrojnë ekip.
Alison kërkohet me ngulm nga trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop. Oferta e fundit për të nga Liverpuli kap shifrën e 70 milionë eurove. Drejtori sportiv i Romës, Monki, kërkon të paktën 10 milionë më shumë. Por ndoshta kjo është edhe një strategji për të rritur “pazarin”, që do të thotë se nga Çelsi mund të vijë një ofertë më e lartë, nëse klubi londinez arrin akordin me Realin për shitjen e Kurtua. Për momentin, Roma po merr kohë dhe orët në vazhdim janë vendimtare edhe për lëvizjet e tjera. Asgjë nuk mund të parashikohet, sepse situatat përmbysen nga momenti në moment, siç ndodhi me rastin e mesfushorit Zhorzhinjo, i cili u konsiderua një blerje e Mançester Sitit, por në fund përfundoi bashkë me trajnerin Sarri te Çelsi. Në këto kushte, edhe Strakosha dhe Lacio duhet të presin.
Reali i Madridit tani duket i fiksuar te Tibo Kurtua, portieri i Çelsit dhe Belgjikës, që u shpall edhe më i miri i Botërorit të Rusisë. Lajmet e fundit flasin për një akord mes drejtuesve të Realit dhe Çelsit, por nuk ka ende asgjë zyrtare, plus që duhet dëgjuar edhe fjala e vetë portierit. Kurtua e dëshiron rikthimin në Madrid, ku jeton edhe familja e tij, megjithatë janë termat financiarë që vendosin. Reali kishte si objektiv më parë portierin e Kombëtares së Spanjës, David De Gean, por paraqitja e tij në “Rusi 2018” solli dyshime dhe tani gjithçka është përqendruar te Kurtua. Oferta e Realit është 35 milionë euro, e ulët në raport me vlerën e belgut në treg, por kjo shifër vjen për faktin se kontrata e tij me Çelsin skadon vitin e ardhshëm. Reali në fakt po mendon për një blerje “paketë” nga Çelsi, duke përfshirë edhe belgun tjetër, Eden Hazard, që londinezët për momentin e konsiderojnë të pashitshëm.
Thomas Strakosha, i cili ka pasur një rritje shumë të shpejtë me aktivizimin te Lacio, mbetët në orbitën e Liverpulit. Oferta e parë e anglezëve për portierin kuqezi ka qenë rreth 40 milionë euro. Edhe Bajer Leverkusen në Gjermani tregoi interes konkret për të pak kohë më parë. E ardhmja e Strakoshës duket “peng” i destinacionit të Alison Beker të Romës. Nëse Çelsi humbet Kurtua, mund të sulmojë menjëherë për të marrë Alison para Liverpulit, që pastaj do t’i rikthehej pistës së portierit shqiptar. Gjithçka është e hapur dhe Strakosha është protagonist në valsin e portierëve të klubeve më të mëdha europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.