Trashëgimi

Vallja e Tropojës “bëhet gati” për në UNESCO

“Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, vepra me vlera unikale zbukuron Alpet tona dhe qëndron stoike prej shekujsh, aty ku është shtëpia e Eposit të Kreshnikëve, e aty ku Ajkuna qau Omerin. Kjo valle që shoqërohet me një interpretim të lirë me tupan dhe veshje popullore, gati-gati duke imituar zanat e malit është aq e lashtë, sa është i lashtë edhe vetë populli shqiptar, duke shoqëruar ngjarje specifike qoftë nga historia, luftërat e ndryshme e deri tek motivet e dashurisë, fejesat dhe martesat popullore.    

“Kcimi i Tropojës”, ndryshe “Vallja e Tropojës” është një nga katër dukuritë e përzgjedhura nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Jo materiale, për të vijuar udhëtimin, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, në UNESCO”.

Kcimi tanimë është më pranë UNESCO-s, pasi ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi formularin e kandidimit, duke e cilësuar një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Studiuesja dhe njëkohësisht drejtuesja e grupit të punës për përgatitjen e dosjes, Rovena Vata, e cilëson Kcimin e Tropojës jo vetëm si oksigjen të tropojanëve, por edhe si një valle popullore kudo në botë.  

“Kcimi është mijëravjeçar dhe është quajtur KCIM VENDI, i Malësisë (Malësisë së Gjakovës, Tropoja e sotme). Sot ai njihet si “Kcimi i Tropojës”, pra ka marr emrin e vendit ku kërcehet. Ky kcim është oksigjeni i banorëve të komunitetit të Tropojës, si edhe i Krasniqes, Bytyçit, Berishës dhe më gjerë në krahinat e tjera, si: në Has, Kukës, Kosovë dhe në gjithë Shqipërinë, e tashmë është bërë aq popullor dhe i njohur kudo nëpër botë.   ‘Kcimi i Tropojës’ është një ndër kcimet më të bukura të trevave shqipfolëse, i cili është kërcyer, që në kohë të lashta dhe pa vegla muzikore, është kcim autokton i komunitetit tropojan, kcim, i cili nuk ka marrë asnjë element nga trevat e tjera. Karakterizohet nga ritmi i shpejtë dhe muzika madhështore, e cila tërheq vëmendjen e çdo dëgjuesi. Kcimi i Tropojës përshtatet me madhështinë e bjeshkëve të larta”, shprehet Vata për Gazetën “Si”, ndërsa thekson se “Kcimi i Tropojës’ është një trashëgimi kulturore, që është përcjellë ndër breza dhe vazhdon të përcillet, me shumë dashuri e krenari, nga çdo familje tropojane”.

Studiuesja dhe drejtuesja e grupit të punës për përgatitjen e dosjes, Rovena Vata

Vata argumenton për Gazetën “Si” se pse kjo valle duhet të jetë pjesë e ruajtjes ndërkombëtare. Sipas saj, “Kcimi i Tropojës” përfaqëson gjuhën, traditat e ritet si pjesë të identitetit kombëtar.    

“Përmes promovimit të “Kcimit të Tropojës” synohet identifikimi, dhe dritësimi i pjesëve të saj, ku përfshihen elementet autoktone-autentike, në ruajtjen dhe përcjelljen e etniteteve të rëndësishme, si gjuhën (komunikimin), traditat, ritet, zakonet si pjesë të identitetit kombëtar. Komuniteti dardan (tropojan) i referohet ‘Kcimit të Tropojës’, kur tregojnë mite, legjenda të vjetra që lidhen me kulturën e tyre si popull. ‘Kcimi i Tropojës’ ndan me shikuesit frymën e solidaritetit, tolerancës, respektit, bujarisë dhe mikpritjes”, vijon ajo më tej për Gazetën “Si”.

Studiuesja e vë theksin edhe te veshja që përdoret në performimin e kësaj valleje, si një element të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

“Veshja tradicionale e komunitetit tropojan, që performojnë Kcimet e tyre, është një element i rëndësishëm i trashëgimisë së tyre kulturore, e lidhur ngushtësisht edhe me teknologjinë e prodhimit të saj krijues-artisik. Komuniteti tropojan e cilëson veshjen popullore tradicionale si trashëgimi të gjallë të tyre. Veshja tradicionale e komunitetit tropojan është edhe një simbol dhe dëshmi e gjallë e përfshirjes së vetvetishme të individit, për mjedisin ku ata jetojnë, ku veshja është e lidhur drejtpërdrejt me traditat dhe zakonet më të mira të ngulitura aty. Ka veshje tradicionale të cilat janë zhvilluar në nivel lokal dhe janë të varura drejtpërdrejtë nga mjedisi gjeografik dhe etno-psikologjik dhe që kanë një origjinë të pavarur, siç është rasti i xhubletës”, shprehet Vata.

Ndër të tjera, studiuesja Vata shpjegon për Gazetën “Si” se gjithë shqetësimi kryesor ka qenë regjistrimi i këtij elementi shqiptar dhe shpreson që UNESCO ta shpallë fituese dosjen, pasi sipas saj grupi i punës ka qenë i kujdesshëm në plotësimin e kërkesave.

“Për sa u përket procedurave të Unescos aty shkojnë shumë dosje njëlloj si edhe e jona, e gjithë shqetësimi ynë ka qenë që ta regjistronim këtë element shqiptar, pastaj nëse dosja do fitojë apo jo është një çështje, e cila nuk ka përket ne si grup pune, pasi në çdo fazë të përgatitjes së saj kemi qenë shumë të kujdesshëm në plotësimin e kërkesave, që Unesco kërkon dhe vlerëson”, shpjegon ajo.  

Në plotësimin e formularit, Vata çmon edhe komunitetin, pasi për të dërguar këtë element është pyetur çdo shqiptar nga veriu në jug.

“Plotësimi i formularit ishte pjesa më e rëndësishme, po ashtu edhe kontributi që ka luajtur komuniteti, pasi janë pyetur çdo shqiptar nga jugu në veri në lidhje me pëlqimin e tyre, për ta dërguar këtë element, si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale mbarëbotërore. Dosja e ‘Kcimit të Tropojës’ do kalojë disa faza si çdo dosje tjetër dhe në nëntor të vitit 2022 do marrim përgjigje”, përfundon Vata.

“Vallja e Tropojës” është shpallur “Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore Kombëtare”, e do të vijojë të mahnitë edhe brezat e ardhshëm si një perlë etno-kulturore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë