Me tarifat e vëna nga ShBA-ja mbi produktet e importuara nga Kina si dhe me problemin e koronavirusit të përhapur në fillim në Kinë, shumë analistë ekonomie e biznesmenë janë duke debatuar mbi mundësinë e zhvendosjes së bizneseve apo operacioneve të caktuara të tyre jashtë Kinës.
Sipas Indian Economic Times, nga disa burime që kanë dashur të qëndrojnë anonim, qeveria Indiane i’u ka ofruar incentivë më shumë se 1,000 kompanive amerikane e anembanë botës që t’i lëvizin fabrikat e tyre nga Kina në Indi. Shteti Indian është duke i’u dhënë prioritet kompanive të pajisjeve mjekësore, të proçesimit të ushqimeve, të tekstileve, lëkurës dhe prodhimit të pjesëve të makinave.

Akuzat e Trump se Kina është përgjegjëse për shpërthimin e koronavirusit pritet që t’i përkeqësojnë marrdhëniet tregtare midis dy superfuqive ekonomike më të mëdha të botës. Ndërkohë qeveri dhe kompani të ndryshme po nisin të mendojnë për të diversifikuar zinxhirët e tyre të prodhimit.
Deepak Bagla, drejtues ekzekutiv i “Invest India”, një agjencie shtetërore indiane të promovimit të investimeve shprehet për BBC se, “Kjo përpjekje e jona për të tërhequr fabrikat nga Kina për në Indi ka vite që po realizohet. Ne mendojmë se COVID-19 thjesht do e përshpejtojë këtë proçes të evitimit të riskut nga Kina për shumë nga këto kompani”.
Këshilli i Biznesit ShBA-Indi (USIBC), një lob i fuqishëm që punon për të rritur flukset e investimeve midis Indisë dhe ShBA-së, gjithashtu është shprehur se India e ka rritur zërin për investime brenda kufijve të saj.

Por analistë të “Morgan Stanley” shprehen për MarketWatch se në periudhë afatshkurtër bizneset kanë shumë pak gjasa që t’i zhvendosin operacionet e tyre jashtë Kinës. Kjo sipas tyre vjen prej kostove të larta që kanë zhvendosjet e operacioneve të prodhimit.
“Në këtë kohë bizneset janë duke vuajtur akoma pasojat e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, dhe hapi i fundit që pritet prej tyre është që të realizojnë një odise shpenzimesh e planesh biznesi në zhvendosje të operacioneve të tyre”, shprehet Katy Huberty, drejtuese e kërkimeve në tregjet e kapitaleve në Morgan Stanley.
Po në këtë mendim është dhe Rahul Jacob, ekonomist për Financial Times. Ai shprehet për BBC-në se ndonëse qeveria Indiane është duke lëvizur në drejtim të duhur me ofrimin e hapësirave të tokës e zonave ekonomike të dedikurara, për kompanitë e mëdha që ata presin të zhvendosen, kjo nuk është e mjaftueshmë për t’i shtyrë kompanitë të zhvendosen jashtë Kinës.

Zinxhirët e prodhimeve dhe furnizimeve janë disa herë më të komplikuara se shumica e njerëzve mendojnë se kuptojnë. Kina ofron infrastrukturë të integruar si porte të mëdhenj dhe autostrada, forcë punëtore të kualitetit të lartë dhe logjistikë të sofistikuar, të cilat janë faktorë kyç në përmbushjen e rregullave dhe afateve strikte që kompanitë ndërkombëtare kërkojnë”, thotë zoti Jacob.
Një tjetër arsye pse India, e cila po përmendet së tepërmi gjatë këtyre kohërave si destinacioni i rradhës i zhvendosjes së fabrikave të Kinës, mbase nuk është zgjedhja më e duhur për kompanitë konglomerate ndërkombëtare ka të bëjë me faktin se ajo nuk është mjaft mirë e integruar me zinxhirët më të mëdhenj të furnizimeve.
Vitin e kaluar Delhi u tërhoq nga një marrëveshje tregtie shumë e rëndësishme multilaterale në të cilën bënin pjesë dhe 12 vende të tjera aziatike, ndryshe ky grupim njihet e si Partneriteti Ekonomik Rajonal Gjithëpërfshirës (Regional Comprehensive Economic Partnership, RCEP), pavarësisht shtatë viteve të gjata negociatash. Vendime si këto e vështirësojnë punën e eksportuesve Indianë që të përfitojnë nga aksesi nëpër tregjet e tjerë ndërkombëtarë pa tarifa.

“Pse duhet që të prodhoj diçka në Indi, që më pas duhet ta shes në Singapor ? Të jesh pjesë e marrveshjeve të rëndësishme tregtare është po aq e rëndësishme sa ofrimi i çmimeve kompetititve”, shprehet Parag Khana, autor i librit “E ardhmja është Azia” (në anglisht libri është The Future is Asian)”.
Marrdhëniet jo të rregullta të Indisë me Investimet e Huaja Direkte dhe rregullat ligjorë me probleme janë akoma disa prej gjërave që vazhdojnë e i shqetësojnë kompanitë botërore.
Nga ndalimi i kompanive e-commerce (të tregtisë elektronike) që të shësin artikuj jo-jetikë dhe ndryshimi i rregullave ligjorë për IHD-të (Investime të Huaja Direkte) për të mos lejuar lëvizjen më të lehtë të kapitalit nga vendet fqinje, frika rritet se India po e përdor pandeminë për të ndërtuar mure proteksioniste rreth vetes e jo për të qënë pjesë e tregjeve të globalizuar.
Burimi BBC, përshtati në shqip Gazeta “Si”.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje