Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime dhe emërime të reja në kabinetin qeveritar, ku ka shkarkuar nga detyra dy zëvendësministre, ndërsa ka emëruar disa zëvendësministra.
Në një njoftim në fletoren zyrtare, thuhet se janë larguar nga detyra dy zv/ministret e Turizmit Vilma Bello dhe Almira Xhembulla.
Në vend të tyre janë emëruar Ilva Gjuzi zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Sofjan Jaupaj. Jaupaj mbante më herët detyrën “Drejtor për Çështjet Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse te Ministria e Turizmit”.
Sa i takon Gjuzit, ajo u prezantua në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS nga Edi Rama si nënkryetare e Asamblesë dhe u promovua në media ditët e fundit si e ardhmja e Partisë Socialiste.
Ndryshime janë bërë edhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku është larguar nga posti i zv.ministrit të këtij dikasteri Endrit Yzeiraj, i cili është emëruar si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në vend të tij për postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është emëruar Blerta Rama.
Ndërkohë, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është emëruar edhe Silda Çepe (Anagnosti).
Dy emërimet e reja në Ministrinë e Jashtme, zëvendësojnë Besar Kadinë dhe Artemis Malon, të cilët janë emëruar më herët ambasadorë njëri në Azerbajxhan dhe tjetra në Kanada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.