Kosova

Vala e re e pandemisë në Kosovë në vjeshtë është e pashmangshme

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ftoi qytetarët që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke paralajmëruar ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë.

Komentet erdhën pasi ministri mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. “Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë dhe që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, tha Vitia.

Vitia foli edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën AstraZeneca, por theksoi se vaksinat që përdorë Kosova janë të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).

Ai tha se ky hezitim po vjen pasi individë të papërgjegjshëm me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.

“Një sërë qytetarësh kanë hezituar të marrin dozën e parë AstraZeneca dhe natyrisht nuk kanë pasur asnjë arsye. Këtu kanë kontribuar disa individë të papërgjegjshëm të cilët me ose pa dashje po i shkaktojnë dëme procesit të vaksinimit”, tha ministri Vitia.

Më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë vaksina AstraZeneca, donacion nga Norvegjia. Vitia tha se 12 mijë dozave të këtij donacioni u skadon afati më 31 korrik, ndërsa pjesës tjetër në fund të gushtit. Ai tha se pikërisht me vaksinat e dhuruara nga Norvegjia është vaksinuar edhe ai të enjten.

Ministri Vitia foli edhe për vaksinimin në komunat me shumicë serbe.

“Në disa nga komunat në pjesën veriore ekipet tona kanë zbuluar se tashmë pjesa më e madhe e popullsisë janë vaksinuar dhe nuk kanë pasur nevojë për vaksina. Kurse, në disa komuna të tjera kanë kërkuar që stafi i tyre, ekipet e vaksinimit, të vijnë dhe të trajnohen në këtë qendër, që është bërë dhe në bazë të kërkesës së tyre u është dërguar edhe numri i vaksinave, për të cilin nuk kam shifër të saktë”, tha Vitia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë