Sabina Veizaj – Binomi pandemi-ekonomi është futur në një tunel paqartësie dhe pasigurie ku drita në fund është vështirë të shquhet.
Pas verës disi të relaksuar nga pesha e infeksioneve me COVID-19, tetori nisi me shtim rastesh të reja mesatarisht 200 në ditë, kurse java e parë e nëntorit me mesatarisht 500 infektime në ditë.
Vala e dytë e koronavirusit të cilit i trembeshin të gjithë, por një pjesë e prisnin, të tjerë e përjashtonin dhe shumë syresh ishin të përgatitur, trokiti.
Tritan Kalo, doktor infeksionist reanimator, pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve, thotë për Gazetën “Si”: “Quajeni si të doni, por ajo që shihet ka të bëjë me një rizgjim të infeksionit nga Sars-Cov2/Covid-19 në kushtet e hedhjes në “tregun e sëmundjeve shkaktuese edhe të viruseve stinorë e pak nga pak edhe atyre shkaktarë të Gripit.”
Këtë Europa dhe bota e ka konfirmuar prej do kohësh dhe ka rinisur masat kufizuese sipas një strategjie të përcaktuar në varësi të zonave më të prekura. Ka edhe shtete si Italia që po diskutojnë izolimin e përgjithshëm mbarkombëtar. Por masat kufizuese në çdo vend kanë shkuar paralelisht me shpalljen e paketave mbështetëse financiare.
Masat e marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri që hyn në fuqi ditën e sotme (e mërkurë) janë ndalimqarkullimi i aktiviteteve në fashën orare 22:00-6:00.
Po a ka një plan B qeveria për ta mbështetur eknominë në këtë gjendje shëndetësore të përkeqësuar dhe me kufizime të reja?
Që në krye të herës të gjitha prognozat në lidhje me ekonominë dhe përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm janë bërë duke moskonsideruar skenarin më pesimist, atë të një vale të dytë të COVID-19 që mund të diktonte masa kufizuese ose izolim të pashmangshëm.
Ministrja e Financave Anila Denaj do të thoshte pak ditë më parë gjatë mbledhjes së Komsionit Kuvendor për Ekonominë dhe Financat gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2021 se, nëse qeveria do të formalizonte skenarin më pesimist të binomit pandemi-buxhet, do të ishte dramatike për ekonominë shqiptare.
“Në grupet teknike bëjmë më shumë se një skenar negativ dhe përllogarisim efektet në hapat për të sigrurar likuiditein në çdo kohë. Nuk i kemi formalizuar në diskutime sepse mendojmë që situata me njerëzit është nën kontroll në Shqipëri krahasuar me vendet europiane që po mbyllen. Procedurialisht nuk mund të formalizojmë një skenar pa patur indikacione”, u shpreh ministrja Denaj duke shtuar: “Unë uroj që ky skenar të mos formalizohej asnjëherë sepse për ekonominë tonë do të ishte dramatike.”
Edhe Banka e Shqipërisë prognozat që ka bërë në lidhje me ekonominë e vendit dhe masat e marra në kompetencë të saj, i referohen periudhës së kaluar të pandemisë, por ka thënë se në rast të jashtëzakonshëm do të vërë në dispozicion masa jo konvencionale. Njëkohësisht është shprehur për buxhetin e 2021 se është më shumë optimist se prognozat e bankës.
Gazeta “Si” u interesua pranë Ministrisë së Financave nëse ka ndryshime të mundshme apo priten syresh të tilla në kushtet e reja të pranuara.
Nga Ministria e Financave u përgjigjën se për këtë çështje u përgjigj kryeministri në konferencë. “Nuk kemi marrë masa shtrënguese si në vendet e tjera, pasi ne nuk duam ta mbyllim ekonominë. Mendojmë se ka mundësi të mbahet një ekuilibër dhe ju bëj thirrje të gjithëve të kryejnë detyrat e tyre”, tha Rama në konferencë.
Ai bëri me dije se ështëi gati dhe një paketë tjetër në mbështetje të sëmurëve për barnat esenciale, dhe për të mbështetur familjet me ndihmë ekonomike, “pasi gjërat mund të zhvillohen në drejtime të ndryshme. Atyre që janë në ndihmë ekonomike deri në fund të pandemisë, do t’i bëjmë një shtesë të mbështetjes financiare”.
Izolimi i pranverës i kushtoi ekonomisë së vendit një faturë të kripur; një tkurrje të ekonomisë 10,23 % në tremujorin e dytë të vitit, borxh publik 80,9 %, mbi 60 mijë të papunë, rënie të konsumit privat dhe inflacionit, po ashtu dhe tkurrrje të kërkesës së kredisë konsumatore. Tregues të një pasigurie dhe paqartësie për të ardhmen që është shprehur qartësisht në uljen e besimit të konsumatorit dhe biznesit. Ky I fundit në vështirësi të tejkajshme, veçanërisht kategoria e bizneseve të vogla dhe të mesme të cilët nuk kanë qenë të favorizuar edhe për huadhënie nga bankat.
Kjo është tabloja e ekonomisë shqiptare pas karantinës së pranverës. Megjithëse atëherë izolimi ishte drastik, shumë më i fortë se kufizimit e reja të këtij nëntori, sipas një analize të fundtetorit 2020, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të shprehej se mbështetja fiskale (shpenzime shtesë dhe shtyrje të pagesave të taksave) në Shqipëri ishte rreth 1 % e PBB- së vendit, më i ulëti ndër vendet në zhvillim. Tani që eknomia në dulje nuk është mbyllur ende, megjithëse nurmat e infeksionit janë rritur, sipas leximit të hapave të qeverisë, mbëshetja buxhetore e dedikuar nuk do të ngrihet të paktën deri tani as mbi 1 përqind të PBB-së.
Kur FMN analizoi sjelljet e qeverive në Europë vërejti se shtetet e saj aplikuan mbështetje të pashembullta fiskale që vepruan si stabilizues të mëdhenj automatikë, duke mbajtur nën kontroll gati gjysmën e rënies.
Në vendet e zhvilluara të Europës masat fiskale ishin mesatarisht sa 6.2 për qind e PBB-ve përkatëse, ndërsa në vendet në zhvillimin këto masa ishin më të zbehta, duke zënë mesatarisht 3.1% të PBB-së. Kurse në Shqipëri ato ishin edhe më të ulta duke përfaqësuar vetëm 1% të PBB-së.
FMN vinte në dukje se në vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria paketat e ndihmës ishin më të limituara për shkak të kufizimit të hapësirës nga borxhi i lartë publik.
Përballë kësaj situate dhe pamjaftueshmërisë së paketave për karantinën e parë, lëmosha financiare e deklaruar rishtazi nga kryeministri për dy kategori të ngushta të shoqërisë tregon për pafuqi të përballimit të situatës nga ana financiare.
Po ti referohemi deklarimeve të ministres së Financave Anila Denaj se marrja parasysh e skenarit pesimist që të paktën nga Komiteti teknik I Ekeprtëve është vërtetuar, rrjedh që ekonomia shqiptare është në gjendje dramatike.
Po sikur situata të përkeqësohet më tej dhe të kërkojë në mënyrë të pashmangshme një izolim kombëtar, çfarë burimesh do të vërë në dispozicion qeveria që të mos gremisë edhe njëherë eknominë?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



