Politike

Vaksinimi i personaliteteve, Rama: Ta lëmë Tinka Kurtin dhe Reshat Arbanën? Meta: Ndarja, tipike për diktatorët

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se pas punonjësve të sistemit shëndetësor dhe shtëpive të azilit vaksinimi do të vazhdone me të moshuar me kontribute në fusha të ndryshme për Shqipërinë, shkaktoi reagime, duke e cilësuar atë si selektive dhe përpjekje të Kryeministrit për të vendosur se kush vdes dhe kush jo.

Kritikat morën shkas nga praktikat dhe protokollet e vendeve europiane. Si shembull, Britania e Madhe ka vendosur vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç si parësor pas punonjësve të sistemit të shëndetësisë. Në këtë grup bën pjesë edhe Mbretëresha Elizabet dhe Princi Filip, përkatësisht 94 dhe 99 vjeç.

Autoritetet britanike thanë se përzgjedhja për të vaksinuar familjen mbretërore nuk ishte për shkak kontributesh, por si radhë e listës alfabetike për vaksinim në zonën ku ata banojnë. Për të shuar çdo debat, Buckingham Palace doli vetë me një njoftim duke pranuar vaksinimin dhe faktin që ishin në radhë.

Protokolle të ngjashme ndiqen edhe në vendet e tjera të Europës dhe sipas sqarimit të fundit që ka bërë Kryeministri Edi Rama, një i ngjashëm do të ndiqet edhe në Shqipëri. Kreu i Qeverisë ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke vendosur kufirin e personave që përfitojnë nga vaksinimi mbi 80 vjeç, por pa hequr dorë nga vaksinimi i atyre që ai i quan “personalitete”.

“Po ç’janë këta dembelë aktivë, siç i quan Konica, që kanë vënë kujën për genocid e diktaturë pse do vaksinohen disa personalitete mbi 80 vjeç, në kuadrin e vaksinimit të 80-vjeçarëve! Po mirë Tinka Kurti dhe Reshat Arbana fjala vjen, duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur?”, shkroi ai.

Rama përmend dy aktorët me kontribute të mëdha në fushën e kinematografisë shqiptare, por lista shkon edhe më tej. Njëri prej tyre është edhe ish-Presidenti, Alfred Moisiu, 92 vjeç. Në një prononcim publik ai tha se e kishin marrë në telefon për t’u vaksinuar ditën e diel. Ish-Presidenti deklaroi se kishte pranuar të vaksinohej dhe vendimin e Qeverisë për të vaksinuar me përparësi këtë shtresë e vlerëson si pozitiv.

“Duket se kanë vendosur drejt, pasi mosha jonë, sikur thotë populli një “saçme kërkon”. Është moshë që e përballon me vështirësi një sëmundje të tillë. Mendoj që është vendim i drejtë”, thotë Moisiu.

Reagimi i Ramës mbërriti pas deklaratave edhe të Presidentit Ilir Meta, që tha se ndarja e qytetarëve sipas arsimimit e kontributeve është klasore dhe tipike komuniste.

“Planet që shkojnë nga 14 muaj dhe më shumë s’mund të jenë alibi për të braktisur me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra që po humbin jetën. Vetëm kriteret shkencore të vendosura ndërkombëtarisht janë ato që duhet të vendosin përparësinë në vaksinimin e popullatës. Kriteret e ndarjes klasore, selektive, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët”, u shpreh Presidenti.

Ditët e fundit ideja e Ramës është qortuar edhe nga akademikë dhe personazhe të tjera të jetës publike. Artan Fuga e cilësoi marrëzi.

“Kush përcakton se kush do të vdesi ose kush do të jetojë me kritere meritash shoqërore është një i marrë që merr rolin e Zotit, është një i rrezikshëm që duhet lidhur. E kap edhe kodi penal veç të tjerash. Thirrini mendjes o personalitete!”, shkruan ai.

Gazeta “Si” është konsultuar me juristë dhe konstitucionalistë, që thonë se vaksinimi sipas meritave shoqërore, jo vetëm që mund të jetë objekt i Kodi Penal, ashtu sikundër thotë Artan Fuga, por edhe bie ndesh me Kushtetutën.

Në nenin 18-të të saj, Kushtetuta thotë se “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale, apo përkatësia prindërore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë