Ka ndodhur

Nga sot vaksinohen ata mbi 60 vjeç me sëmundje kronike. Priten edhe 7020 vaksina Pfizer

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër vaksinimin masiv në Sheshin ‘Skëndërbej’ mëngjesin e së dielës.

Gjatë inspektimit, ministrja ka thënë se nga kjo e hënë, nis vaksinimi për moshat +60 vjeç me sëmundje kronike. Po sot do të fillojë edhe shpërndarja e 100 mijë vaksinave të Sinovac, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe 7020 doza të vaksinës Pfizer.

“Tashmë kemi hyrë në grupmoshat mbi 65 vjeç, procesi ka vijuar që në mëngjes. Ne po ecim me ritme të shpejta falë edhe punës së ekipit të gjithë vaksinatorëve”, u shpreh Manastirliu mes të tjerash.

Duke iu kërkuar qytetarëve të vaksinuar të vijojnë të mbrohen edhe disa javë, Manastirliu ka bërë apel për të gjithë qytetarët +60 vjeç,  të regjistrohen pranë mjekut të familjes për ditën dhe orën e vaksinimit.

Që prej fillimit të vaksinimit anti-COVID, janë kryer në total 256,848 vaksinime, prej të cilëve 182,669 vaksinime për të moshuarit.

Të shtunën, u kryen 6134 vaksinime anti-COVID, ndërsa objektivi i qeverisë është që brenda muajit maj, të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë.

Vaksinimi masiv ka nisur që prej datës 28 mars, me të moshuarit, për të vijuar me kategori të tjera si punonjësit e rendit apo dhe të medias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë