Duke nisur nga kjo e mërkurë, 13 tetor, të gjithë qytetarët shqiptarë nga Shqipëria që duan të udhëtojnë drejt Kosovës, duhet të jenë të pajisur me certifikatë vaksinimi, dëshmi që e kanë kaluar COVID 19 ose test PCR të lëshuar në jo më pak se 21 ditë dhe jo më vonë se 180 ditë.
Lajmi është bërë publik nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri. Për qytetarët që kanë shtetësinë e Kosovës, në rast se nuk kanë një nga këto dokumente duhet të futen në karantinë për 7 ditë.
Nga këto rregulla do të përjashtohen ata që do të largohen nga Kosova brenda tre orësh, qytetarët që kalojnë tranzit, ata që punojnë në sektorin e transportit, shtetasit e Kosovës që kanë dalë jashtë vendit në 12 orët e fundit si dhe diplomatët e huaj.
Kjo vlen edhe për qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, tranzit, me kusht që të nënshkruajnë deklaratën se do të largohen nga territori i Kosovës brenda pesë (5) orësh, si dhe personat nën moshën 16 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




