Shendet

Vaksina ka, por pakkush do të vaksinohet

“Ku janë vaksinatorët?” Kjo është pyetja e parë që më erdhi ndër mend kur kalova në qendrën e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”. Çdo hyrje e qendrës ishte e mbyllur dhe diku në cep mund të hyje ngushtësi për të pyetur se pse nuk shihje asnjë njeri në këtë qendër.
Në orën 11:00 qendra e vaksinimit duket sikur e ka mbaruar detyrën e saj dhe informacion nuk mund të marrësh as tek personat që regjistrojnë qytetarët për vaksinim sepse nuk janë aty. Duke tentuar të di më shumë për situatën e për të mos ngelur pjesë e fasadës, hy më tej dhe dy policë më drejtohen duke thënë se “ në orën 5:00 mund të vish që të flasësh me përgjegjësit sepse atëherë vijnë të gjithë”.
“Tani nuk ka shumë njerëz sepse është diell prandaj vinë ato në orën 17:00. Po shko njëherë tek arena kombëtare se atje janë hapur”, thotë nën siklet njëri prej policëve të cilët përdorin çadrat e vaksinimit për hije.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim nga autoritetet se orari i vaksinimit do të zhvendosej në orën 17:00. I vetmi njoftim i ditëve të fundit ishte se fasha moshore do të ulej deri në 50 vjeç dhe dy ditë do të ishin të lira për të gjithë qytetarët +18 që të regjistroheshin në e-albania për të bërë vaksinën.
Me një habi të madhe që nuk po i jepja shpjegim nisem drejt qendrës tjetër të vaksinimit në Tiranë, ku dukej një panoramë pak më ndryshe. Në qendrën e vaksinimit në “Arenën Kombëtare” tek-tuk kishte ndonjë njeri. Përfaqësues të kësaj qendre treguan se numri i qytetarëve ka nisur të bjerë me fillimin e verës dhe nuk ka shumë që kërkojnë vaksinën. Përfaqësuesi tregoi më tej se me parë kanë qenë më të shumtë njerëzit sepse vinin sipas listave të sjella nga institucionet, ndërsa tani që është ulur fasha moshore dhe përgjegjësia i’u ka kaluar vetë individëve, nuk ka shumë njerëz.

Ky mos frekuentim i qendrave të vaksinimit nga vetë popullata është vënë re edhe nga vetë institucionet pasi ditët e fundit që kur shpallën ofertën dy ditore për personat + 18, shumë të rinj kanë marrë një mesazh në telefonin e tyre për të caktuar datën e vaksinimit në e-albania.
Duke mos u përqendruar vetëm tek ajo çfarë duket me sy të lirë në qendrat e vaksinimit, iu drejtova edhe institucioneve për të pyetur se pse entuziazmi i vaksinimit nuk duket në qendrat shëndetësore, ose minimalisht nuk është i njëjtë si në fillim të vaksinimit, por nuk mora asnjë përgjigje shteruese nga autoritetet shëndetësore. “Nuk kemi informacion”-thanë nga ISHP

Më 23 qershor Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kur deklaroi se do të zgjerohej kategoria e vaksinimit për punonjësit e shërbimeve kritike dhe institucioneve në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tha se: “kemi kryer më shumë se 900 mijë vaksinime. Ritmi është goxha i mirë, por kemi mundësi akoma më shumë për të rritur këtë ritëm, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë vaksinale sa më të lartë”, por ritmi i lartë nuk duket me qendra pothuajse bosh.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se që prej fillimit të procesit të vaksinimit e deri më tani janë kryer në total 922,886 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej tyre 385,868 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid-19.

Ndërkaq situata epidemiologjike në vend duket e relaksuar ndjeshëm. Gjatë javëve të fundit ka pasur shumë pak raste ditore që përgjithësisht kanë variuar në numrin 1,2 ose tre të infektuar, ndërsa është njoftuar se në spital ka vetëm 1 pacient të shtruar.
Duke u bazuar në relaksimin e qytetarëve edhe për masat mbrojtëse më herët mjeku shqiptar në Londër, Laidon Shapo ka shpjeguar se viti i kaluar na mësoi se pasojat e hapjes së verës i përjetuam në vjeshtë duke pasur më shumë raste të larta.
Mjeku është shprehur se sezoni turistik veror do të sjellë risi dhe siç thotë ai “nuk është çudi që të kemi hapur derën ndaj varianteve të reja, përfshi dhe atë indian që ka rreth 40% transmetueshmëri më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë