Treg

“Vaksina dhe për turzimin, nëse duam shpejt pushuesit e huaj”

Nga Megi Iskurti- Megjithëse me rritjen e numrit të vaksinave në dispozicion u ndez një dritë më shumë në fund të tunelit, të dhënat e fundit tregojnë se të paktën për turizimin rikuperimi do të  dojë më shumë kohë që  të ndodh.

Të dhënat e Instat treguan se lëvizjet e njerëzve përgjatë muajit shkurt  u ulën me rreth 100 mijë në krahasim me janarin dhe me rreth 41.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Disa agjenci turistike shqiptare i thanë gazetës ”Si“ se qytetarët ndihen ende të pasigurt për të udhëtuar.

Kalemi Travel, një ndër ta, tregoi për gazetasi.al që numri i qytetarëve që zgjedhin të udhëtojnë brenda apo jashtë vendit është ulur ndjeshëm dhe vaksina ende nuk ka sjellë asnjë ndryshim të kësaj situate.

“Nuk është vendosur ende asnjë protokoll për sa i përket lëvizjes lirisht edhe për personat që kanë kryer vaksinën dhe kjo gjë i bën qytetarët të frenojnë rezervimet e tyre për udhëtime dhe destinacione të ndryshme. “

Të njëjtën ulje të rezervimeve për udhëtime brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka ndjerë edhe agjencia e “Zenith Travel” jo vetëm në krahasim me të njëjtën periudhë me parë por edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Destinacionet më të kërkuara jashtë vendit që kanë patur një rritje të rezervimeve në krahasim me ato shqiptare, janë Kotorri, Kolashini dhe Brezovica por me këto ritme turizmi mund të vijojë që të jetë i goditur.

Agjencitë turistike kanë vuajtur që me fillimin e karantinës dhe ende vijojnë të vuajnë.

Tremujori i fundit i 2020 është faza ku sipas tyre goditja ishte më e madhe pasi as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festa por as të huajt nuk erdhën dot në Shqipëri dhe rënia e aktivitetit është ndjerë me -66.4%.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan që shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri gjatë 2020 u përgjysmuan duke zbritur në 989 milionë euro dhe numri i turistëve u ul me 58.5%.

Thuajse të gjithë rezervimet e verës nga agjencitë e huaja në Europë, Poloni, Gjermani dhe disa shtete të tjera u anuluan dhe turizmi u mbajt në këmbë vetëm nga rajoni ku shtetasit e Kosovës zunë 52% të totalit.

Ata i shpëtuan hotelet nga rënia më e thellë e të ardhurave ku sipas Instat, 78% e tyre kanë zgjedhur pikërisht hotelet si vendqëndrim.

Vaksinat janë një armë e fortë për të rikuperuar këtë sektor por megjithatë e gjithë kjo do të varet nga ecuria e njerëzve dhe kategorive që do të vaksinohen.

“Gazeta SI” kontaktoi me Kliton Gërxhanin, Zv kryetar i “Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike” lidhur me një parashikim të ecurisë së turizmit dhe rolit të vaksinimit në këtë sektor.

 “Është e vështirë të parashikosh se si do të jetë sjellja e turistëve  në raport me vaksinimin.

Përpos turizmit të plazhit, Shqipëria mbahet edhe nga turizmi i natyrës, i kulturës, i biznesit (MICE),që nuk janë të varur nga turizmi kosovar por nga ai europian dhe i Amerikës së Veriut të cilët luajnë peshë të madhe në ekonominë tonë.

Nuk mund të presim vetëm nga kosovarët, gjysma e tregut të tyre erdhi në 2020 kur nuk kishte vaksinim por megjithatë kjo nuk e shpëtoi turizmin tonë”.

Tani që Shqipëria ka më shumë doza vaksinash të kontraktuara janë rritur  edhe pretendimet se cilat kategori veç të moshurave duhen mbrojtur më parë.

“Pas kategorive të riskut më të lartë si mjekët,arsimtarët,policët dhe pensionistët,unë mendoj që duhet  të vaksinohen edhe punonjësit e turizmit në mënyrë që turistët të kenë garanci për të lëvizur në Shqipëri dhe jashtë saj edhe nëse ata vetë nuk do të jenë të vaksinuar.”- thotë Gërxhani duke i mëshuar fort pjesës që për një rikuperim te këtij sektori është e domosdoshme  të vaksinohen punëtorët e tij.

Aktivitetet hoteliere dhe agjencitë turistike mund të vijojnë të jenë në krizë për sa kohë qytetarët që nuk kanë marrë vaksinën  ndihen të pasigurt për të udhëtuar dhe punonjësit e sektorit të shërbimeve mbeten në listat e pritjes. Ndoshta ideja për të vaksinuar sa më shpejt punëtorët e  frontit të parë të shërbimeve, nuk është një ide e keqe. Turistët duke menduar dotë jenë më të sigurt nëse iu shërbehet nga punonjës të imunuzuar nga vaksina e bëjnë të ardhmen e afërt më shpresëdhënëse.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë