Trashëgimi

Vakëfnameja e Iljaz bej Mirahorit të Korçës, teksti  që daton nga shekulli i 15-të

Nga Sokol Çunga – Qytetet kanë shumë të përbashkëta. Themelimi i tyre, zgjerimi apo tkurrja, shkëlqimi apo rënia, janë pjesë e natyrshme e çdo vendbanimi. Por mënyra si janë themeluar dhe kush i themeloi, janë pjesë e përveçme e historisë së çdo qyteti. Ky është edhe rasti i Korçës, qytet që hodhi rrënjë prej punës së një djaloshi nga Panariti

Edhe mbasi e dinte Mirahor Iljaz beu se çka ha njeriu humb, çka vesh griset e çka jep darovisht e për lëmoshë vazhdon, ngriti e ndërtoi pra, me mallin e tij të pastër e me pasurinë e tij të kulluar, në përputhje me rregullat e kursimit të shenjta e me nxitjen e porosisë profetike, një faltore të shenjtë në katundin Peshkopi të Korçës, të cilën e la vakëf për gjithë ata muslimanë që duan të falen në çdo falje.

Ngriti e ndërtoi, gjithashtu, në katundin e sipërshënuar, edhe një imaret të shenjtë e të hijeshëm, me gjithë mjediset e nevojshme, si kuzhinë, depo, furrë, han e të tjera, dhe i destinoi si vakëf për gjithë ata që venë e vijnë, e pajosi këtë imaret me të gjitha mjetet, enët e komoditetet e nevojshme. Ngriti e ndërtoi në katundin e sipërshënuar një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj e destinoi këtë vakëf për gjithë ata djem e vajza myslimanë që vazhdojnë për të mësuar këndimin e Kuranit e për të studiuar dituri të tjera. Të gjitha këto objekte i la vakëf të saktë, të ligjshëm e të qartë.

Këto teksti i vakëfnamesë së Iljaz Mirahor beut, nënshkruar më datën 1 të muajit Ramazan sipas kalendarit hixhri, që me kalendarin e sotshëm gregorian konvertohet në 5 shkurt 1505. Më tej në vakëfname saktësohet mënyra si do të funksionojë vakëfi dhe si do të administrohen të ardhurat e tij. Mirëpo, cili qe Mirahor Iljaz beu?

Themeluesi i vakëfit pati lindur në fshatin Panarit dhe ishte një i krishterë i quajtur Ilia. Në kohën e sulltan Muratit II u bë pjesë e forcave jeniçere. Bënte pjesë në grupin e njerëzve më besnikë të sulltan Mehmetit II dhe ishte nga të parët luftëtarë që kaptuan muret e Konstandinopojës gjatë pushtimit të saj më 1453. Si shpërblim për trimërinë mori titullin mirahor.

Më pas u emërua sanxhakbej i Korçës dhe prej sulltan Bajazitit II mori si pronë mylk disa fshatra të Korçës, një pjesë të të cilave i ktheu në vakëf. Pas vdekjes, varri i tij u vendos pranë tyrbes së xhamisë së Korçës, por sot nuk ndodhet më atje. Veprimtaria bamirëse e Iljaz bej Mirahorit nuk pati ndikim vetëm mbi të, mbi familjen e tij dhe pasardhësit. Institucioni i vakëfit që themeloi Iljazi pati ndikim të gjerë ekonomik dhe demografik në fshatin Peshkëpi, i cili më pas u zgjerua dhe u kthye në qytetin e Korçës së sotshme. Pranë Pazarit të Korçës ende sot shohim xhaminë e përmendur në vakëfname. Siç e thotë edhe vetë teksti: çfarë jep njeriu darovisht e për lëmoshë, vazhdon e mbetet

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë