Drejtësia

Vakancat në organet e reja të drejtësisë, Kuvendi dëgjon kandidatët për në KLGJ dhe KLP

Gazeta Si – Nënkomisioni parlamentar për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor nisi këtë të mërkurë dëgjesën me katër kandidatët e kualifikuar për vakancat e krijuara në këto dy institucione.

Kuvendit iu paraqit një listë me 9 kandidatë nga trupat akademike, ku pesë prej tyre u skualifikuan përmes një njoftimi që Sekretari i Kuvendit, Genci Gjonçaj i përcolli nënkomisionit. Skualifikimi shkaktoi debate në Kuvend, me anëtarët e opozitës të nënkomisionit që kërkuan përfshirjen e tyre në garë dhe lejimi për t’u dëgjuar para nënkomisionit.

PD tha se pesë kandidatët e skualifikuar janë ata që janë kualifikuar nga mbledhja e trupës së pedagogëve. Kërkesa për dëgjesë me të gjithë kandidatët u kundërshtua nga kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, me argumentin se ligji e parashikon dëgjesën me Trupën e Pedagogëve.

Kompromisi u gjet duke pranuar që të dëgjoheshin vetëm kandidatët e kualifikuar nga Kuvendi. Përveç dëgjesës me kandidatët, nënkomisioni do të diskutojë edhe raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të mërkurën.

Ndërkohë, pesë kandidatët e skualifikuar mund të rikthehen në garë nëse me shumicë votash nënkomisioni vlerëson si të gabuar skualifikimin e tyre. Ligji parashikon që emrat që votohen në këtë nënkomision parlamentar votohen për miratim në seancë plenare.

Katër kandidatët që janë kualifikuar nga Kuvendi për anëtarë në KLGj janë Ilir Rusi, Orjona Muçollari dhe Yllka Rupa, ndërsa emrat që kualifikohen si kandidatë për KLP-në janë Ilir Rusi, Mirela Bogdani dhe Yllka Rupa. Nga gara janë përjashtuar kandidatët Sajmir Vishaj, Alban Koçi, Endri Papajorgji, Idlir Duhanxhi dhe Indrit Shtupi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë