Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të ftojë kandidatët e listës për deputetë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu thirrjet më të fundit kanë shkuar në adresë të disa kandidatëve si Fatmir Guda, Prel Gjoni, Enri Çeno dhe Petrit Vargu. Kështu Guda ftohet të zëvendësojë mandatin e Hekuran Hoxhollit të PD-së në Korçë, Gjoni atë të deputetit të PD-së, Romeo Gurakuqi të PD në Shkodër, ndërsa Vargu të Kejdi Mehmetaj të LSI në Tiranë dhe Çeno të Oerd Bylykbashit të PD-së në Durrës.
Por ndërkohë që letra e drejtuar nga KQZ-ja ka pasur përgjigje refuzuese nga disa prej kandidatëve në listat shumemërore të PD-së dhe LSI-së. Kështu kandidati i PD-së, Fatmir Guda ka bërë të ditur se ka refuzuar që të plotësojë formularin e vetdeklarimit, duke hequr dorë nga marrja e mandatit.

“Por ja, që kushtet në të cilat më ofrohet marrja e mandatit të deputetit janë krejtësisht larg normalitetit, pasi institucioni bazë i demokracisë gjendet në krizën më të thellë të përfaqësimit të tij, për shkaqe të njohura botërisht, që fillojnë nga përfshirja në të e elementëve të botës së krimit dhe deri tek përdorimi i kartonave të tij në mënyrë autoritariste për uzurpimin në një dorë të vetme të të gjitha pushteteve…. Ja përse asnjë lloj tundimi, presioni apo shantazhi i pamunguar i këtyre ditëve s’më ka dyzuar aspak ta refuzoj prerazi mandatin e ardhur antikushtetuetshmërisht, duke shpresuar shumë, se me këtë akt as kam qenë dhe as do jem i vetmi, që do i vij sado pak në ndihmë dhe një sahat e më parë zgjidhjes së krizës politike në vënd.”, shprehet Guda në një reagim në Facebook.
Edhe mjeku Petrit Vargu, kandidat i LSI-së bëri publik vendimin për refuzimin e marrjes së mandatit të deputetit.

Sipas ligjit, KQZ i lë afat 10 ditë kandidatëve për të plotësuar formularin e Dekriminalizimit, në rast se një gjë e tillë nuk realizohet atëherë nuk mund të zgjidhen si deputetë.
KQZ, pavarësisht refuzimeve të kandidatëve të LSI-së dhe PD-së ka dhënë disa mandate deputeti. Deri më tani numri i deputetëve në Kuvend nga 140 që ka ky institucion shkon në 100 të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




