Treg

Vaji shqiptar i ullirit po shitet rifuxho dhe pa emër në tregjet ndërkombëtare

Nga Gazeta ‘Si’-Thatësira e madhe që preku Spanjën dhe Italinë ka rritur kërkesën për vaj nga Shqipëria.

Gati 25 për qind e prodhimit në tregun europian mungoi ndërkohë çmimet në bursa u rritën me 50%.

Shqipëria pati vjet një superprodhim të vajit të ullirit, 100 mijë tonë ose 70 përqind më shumë se në 2021-shin. Kjo tablo e re nxiti importuesit e huaj t’i drejtohen Shqipërisë.

Industrialistët, kryesisht italianë, po blejnë vaj rifuxho nga Shqipëria të cilin më pas e ripërpunojnë dhe e tregtojnë si markë të huaj.

Burime nga pikat e grumbullimit thonë për Gazetasi.al se fermerët po e shesin 400-500 lekë për litër.

Ata shprehen se nuk e kanë parë këtë interesim për vajin shqiptar prej më shumë se një dekade dhe janë të bindur se deri në fund të këtij muaji(qershor) do të kenë mbaruar plotësisht shitjen e vajit të prodhuar në vitin 2022.

“Nëse fermerët do të vijonin që të mbanin stok vajin e ullirit në shtëpi pas stinës së verës, vlerat e tij ushqimore do të humbisnin. Pavarësisht se këto eksporte janë refuxho, ku më pas vaji ynë përpunohet dhe shitet si markë e huaj, kjo situatë është tepër pozitive pasi po ndihmon në zbrazjen e vajit nga shtëpitë e fermerëve”, thotë Ylli Hajdini i cili ka kompaninë e tij prodhuese të vajit të ullirit, S.E.D Borsh.

Vaji i ullirit kishte mbetur stok në shtëpitë e fermerëve nga mbiprodhimi i 2022-shit

Fakti që gjithmonë ka munguar tregu i shitjes, tregon ai, i ka gjetur disi të paorganizuara pikat e përpunimit dhe fabrikat pa depozita.

“Fabrikat përpunuese nuk kanë depozita, pasi nuk kanë investuar, duke qenë se ka munguar gjithmonë tregu i shitjes për shitjen e vajit të ullirit. Në këto fabrika, fermerët e dërgojnë ullirin vetëm për ta përpunuar si vaj, të cilin më pas e depozitojnë në shtëpitë e tyre.

Fermerët po e risjellin vajin te këto fabrika që kanë lidhur kontratat për eksport, kundrejt një tarife ekstra 10 lekë për litër”, vëren më tej Hajdini.

Fabrika e përpunimit, sipas tij, nuk kanë investuar në depozitim me qëllim grumbullimin e vajit që përpunojnë fermerët, për shkak të kostos së lartë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe për shkak të informalitetit të lartë të fermerëve.

Kjo kërkesë i gjeti të paorganizuar pikat e grumbullimit

“Pjesa dërrmuese e fermerëve nuk janë të pajisur me NIPT, për këto arsye nuk mund të lëshojnë faturë tatimore. Informaliteti i lartë na penalizon tek investimet për të depozituar vajin, pasi nuk mund të eksportojmë vaj të blerë pa faturë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të deritanishme për muajt e parë të vitit nga Ministria e Bujqësisë, në katër muajt e parë të vitit kemi eksportuar mbi 1.258 tonë vaj ulliri në Itali.

Megjithatë, sipas ekspertëve të bujqësisë, ka akoma shumë punë për të bërë kur bie fjala për mekanizmat dhe ndërhyrjet që qeveria duhet të bëjë për tregtimin e vajit shqiptar në tregjet e huaja.

Ilir Pilku, një prej tyre, thotë për Gazetasi.al se qeveria duhet të nxisë më shumë kooperimin mes fermerëve për të krijuar markat e tyre dhe për të respektuar ligjin e ushqimit për tregtimin e produktit, me etiketa dhe logo të caktuara.

Duhet një promovim dhe marketing i vlerave ushqimore të vajit të ullirit sepse vazhdojmë të jemi vend me konsum shumë të ulët”, thotë Ilir Pilku.

Pilku thotë se qeveria duhet të nxisë më shumë kooperimin mes fermerëve për të krijuar markat e tyre

Ai thekson se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Nxitjes së Investmeve duhet të kenë një rol më të mirë për t’u gjetur tregtuesve kanale tregtare për eksport.

“Duhet patjetër të eksportojmë sepse kemi investuar me vite të tëra në kultivimin e vajit të ullirit, në kultivimin e kultivarëve autoktonë me vlera të larta ushqyese. Kemi fabrika që janë me teknologji bashkëkohore dhe mbetet veçse të gjejmë tregjet e duhura”, vijon mandej ai ndërsa thekson se iniciativa duhen edhe Shoqata e Prodhuesve të Ullirit e cila sipas tij, në vitet e fundit është bërë thuajse inekzistente.

Kostoja e ulët e shërbimeve për këtë kulturë dhe mbështetja me subvencione duket të jenë arsyet kryesore përse në nivel ferme ka patur një trend për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me ullinj.

Ndërsa arsyet se përse ai ngeli pa shitur, Gazetasi.al i ka trajtuar më herët në një analizë, ku kryesojnë shitjet “nën dorë” si dhe kostot e larta administrative, duke përfshirë ambalazhimin dhe taksat.

Gjithashtu tkurrja e popullsisë ka ulur kërkesën për vaj ndërsa prodhimi i fragmentarizuar dhe dominimi nga fermat e vogla vështirësojnë gjetjen e tregjeve për eskporte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë