Ka ndodhur

Vaj kanabisi dhe drogë çokollatë, si u godit grupi kriminal në Shkodër

Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal, i cili dyshohej se ushtronte veprimtari në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeta”, janë vënë në pranga katër persona, të cilëve iu është sekuestruar një sasi e konsiderueshme vaji hashashi, kanabis i përpunuar në formë çokollate, armë gjahu, një sasi parash e sende të tjera.

Në pranga kanë rënë shtetasit: H. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, M. U. 26 vjeç, A. U., 36 vjeç dhe M. U., 72 vjeç, të tre banues ne fshatin Mes, Shkodër.

Policia thotë se këta shtetas janë kapur gjatë operacionit në Postribë, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.

Gjatë operacionit forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 14 litra vaj hashashi; 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate; një armë gjahu, një sasi fishekësh; një sasi parash; 6 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë