Pak orë më parë, Austin FC në “Major League Soccer” zyrtarizoi blerjen e Myrto Uzunit nga Granada CF. 29 vjeçari shqiptar firmosi te Austin deri në vitin 2027 me opsion rinovimi deri në 2028. Kartoni i tij kushtoi 12.3 milionë dollarë (klauzola e klubit spanjoll) duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në klub pasi thyen rekordin e vendosur këtë muaj nga transferimi i Brandon Vazquez (raportuar 10 milionë dollarë) nga meksikanët e CF Monterrey. Sulmuesi kuqezi do të jetë një nga 3 lojtarët e huaj që mund të vijnë për një shifër më të lartë se vendasit bashkë me Vazquez dhe ganezin Osman Bukari që u ble për 7 milionë dollar një vit më parë nga Crvena Zvezda.
Uzuni shkon në “Major League Soccer” si shënuesi më i mirë i huaj i Granada’s me 49 gola në 106 ndeshje në të gjithë kompeticionet, 14 nga të cilët u shënuan në 18 ndeshje këtë sezon në LaLiga 2. Gjatë karrierës ai ka shënuar 126 gola e ka shërbyer 42 asist në 322 ndeshje për KF Tomori, FK Apolonia dhe Laçin në Shqipëri. NK Lokomotiva Zagreb (Kroaci), Ferencvárosi TC (Hungari) dhe Granada-n në Spanjë. Me kuqezinjtë Uzuni ka shënuar 5 gola në 38 ndeshje dhe është ende në aktivitet.
Ai bëhet shqiptari i dytë që firmosi për klubin amerikan këtë merkato, pas Besard Sabovic që erdhi si lojtar i lirë dhe ka pasaportë suedeze. Sabovic ka lindur në Shkup, babai i tij është nga Plava ndërsa nëna nga Medvegja. Ai është stërnipi i themeluesit të Lidhjes së Prizrenit, Jakup Ferri. Aktualisht Uzuni është lojtari i pestë kuqezi që vesh fanellën e një skuadre në “Major League Soccer”:
Shkëlzen Gashi – Colorado – 2016–18
Jahmir Hyka – San Jose – 2017–18
Hamdi Salihi – D.C. United – 2012
Giacomo Vrioni – New England – 2022
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.